PREVIEW | Shkëndija – Rabotniçki

No image

Kuqezinjtë me Erhan Selimin në pankinë të shtunën kërkojnë fitoren e parë në sezonin e ri kur në Tetovë nga ora 15:00 presin Rabotniçkin.

Përfundon pauza ndërkombëtare për ndeshjet e ekipeve përfaqësuese dhe xhiroja e pestë në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut të shtunën kuqezinjëve u sjell ndeshje si vendas përballë Rabotniçkit. Shkëndija pauzën kampionale e priti me ndryshim në pankinë dhe kjo periudhë ishte e mirëseardhur për ushtruesin e detyrës së trajnerit, Erhan Selimi që të punojë me ekipin në kërkim të kthesës pozitive. Fillimi i sezonit të ri solli krizë rezultatesh për Shkëndijën, mirëpo tashmë skuadra duket se është e gatshme për të reaguar në duelin me Rabotniçkin.

Të rejat në skuadër
Angazhimi i disa futbollistëve në ekipet përfaqësuese pamundësoi stafin teknik që pauzën kampionale të shfrytëzojë për të punuar me formacion të plotë, mirëpo gjithsesi ekipi tre ditët e fundit ka stërvitur i kompletuar (nga angazhimet me ekipet përfaqësuese u kthyen Bejtullai dhe Radeski (Maqedonia A), Zejnullai dhe Imeri (Shqipëri U21), si dhe Sadriu (Kosova U21)).

Pa lëndime dhe pezullime, Erhan Selimi do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët për të zgjedhur formacionin ideal të momentit me të cilin do të kërkohet fitorja e parë në sezonin e ri.

 

Kundërshtari
Ashtu si Shkëndija edhe Rabotniçki nuk ka filluar si duhet këtë kampanjë dhe në vend të luftës për kreun për momentin mban pozitën e parafundit. Ky duel që duhej të ishte derbi i kreut tani përball mes veti dy skuadrat e fundit në tabelë, por realisht është vetëm fillimi i kampionatit dhe bazuar në cilësinë e skuadrave kjo situatë pritet të ndryshojë së shpejti. Kuqezinjë kundër këtij rivali kanë ndërtuar bilans shumë pozitiv kohëve të fundit pasi nuk munden për 11-të ndeshje me rradhë. Shkëndija për herë të fundit ka pësuar në një duel me Rabotniçkin në vitin 2017 dhe prej atëherë numëron 8 fitore dhe 3 barazime.

Përballja Shkëndija-Rabotniçki luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 15:00.