-
H 3:2
- ||, |||, Antalya TC 2020
- 2020-01-26 15:00
Shkëndija ka fituar ekipin sllovak ŠKF Sered me rezultat 3:2 në takimin e parë kontrollues në përgatitjet që vijojnë në Turqi. Kundërshtari avansoi 0:2, ndërsa përmbysën gjithçka B. Ibraimi, Radeski dhe Sadriu.
Kuqezinjtë kalojnë me sukses ndeshjen e parë kontrolluese të kësaj faze përgatitore, duke mundur me shifrat 3:2 ekipin sllovak ŠKF Sered. Një duel i hapur, me shanse dhe gola në të dyja anët, përmbysje të Shkëndijës dhe minuta të parë në fanellën kuqezi (Shkëndija luajti me fanella të bardha) për afrimet e janarit Krivak, Ahmedi dhe Neto.
Sllovakët avansuan shumë herët, pasi në minutën e 6-të shfrytëzuan një rëmujë të krijuar pas harkimit nga këndi dhe me anë të sulmuesit Tidiane Djiby Ba shënuan për 1:0. Shkëndija kërkoi të përgjigjet, krijoi disa mundësi, më seriozen në minutën e 24-t kur goditja e ashpër e Micit pritet nga portieri Penksa që largon topin mbi traversë. Sllovakët treguan efikasitet admirues kur në shansin e tyre të dytë në minutën e 30-të përmes Alex Ivan çuan shifrat në 2:0. Vetëm dy minuta më vonë me mjeshtri në sulm shfaqet Besart Ibraimi që me disa lëvizje hedh nga loja mbrojtësit kundërshtarë, para se me një të majtë precize të shënojë për 1:2.
Në start të pjesës së dytë që nisi me më shumë zëvendësime për pak sa nuk nivelizuam rezultatin kur gjuajtja e lirë e B. Ibraimit bllokohet në murin e gjallë, kurse në vazhdim traversa i mohon golin Valmir Nafiut. Në minutën e 55-të kombinim i dy Ibraimave, me Agimin që godet direkt në portierin kundërshtar. Shkëndija ishte shumë më aktive në këtë periudhë dhe goli i barazimit ishte çështje kohe. Kjo ndodhi kur goditja e Nafiut ndalet nga portieri, ndërsa topin e dëbuar Radeski e dërgon në rrjetë për 2:2. Menjëherë pas kësaj trajneri Gjoka bëri edhe ndryshimet tjera në formacion, duke inkuadruar në lojë gjithë futbollistët që kishte në pankinë. Dominimi i tanëve vazhdoi dhe në minutën e 64-t Leard Sadriu sjell përmbysjen kur një dalje përpara në këndore e kurorëzon me gol për epërsi 3:2. Ky do të ishte rezultati final i kësaj ndeshje kontrolluese.
KF SHKËNDIJA-ŠKF SERED 3:2 (1:2)
Golashënues: B. Ibraimi 32’, Radeski 56’ dhe Sadriu 64’ (Shkëndija), ndërsa Djiby Ba 6’ dhe Ivan 30’ (ŠKF Sered)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Krivak, Dallku, Mici, Alimi, Totre, Ahmedi, A. Ibraimi, Imeri, B. Ibraimi.
Luajtën edhe: Rexhepi, Merxhani, Neziri, Radeski, Nafiu, Sadriu, Çeshmexhiev, Zejnullai, Ramadani, Neto dhe A. Rexhepi.
Trajner: Ernest Gjoka