Izair Emini me tre gola dhe nga një realizim i Hasanit dhe Abdyrahimit i dhanë Shkëndijës fitoren bindëse 5:0 përballë Sileksit.
“Kuqezinjtë” ruajnë kryesimin në tabelë pasi sjellin një tjetër goleadë për fitore bindëse kundër Sileksit në xhiron e 6-të të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Alimi sjell goditjen e parë më serioze në portë në minutën e 8-të, mirëpo Mitroviq pret sigurtë. Ndryshimi erdhi pas një aksioni të bukur në minutën e 13-të kur Ibraimi dhe Todorovski kombinojnë në të djathtë, ndërsa i gatshëm pret asistin Emini që plason me të djathtën për epërsi 1:0. Dhjetë minuta më vonë mundej të vinte goli i dytë, mirëpo Mitroviq pret goditjen e Todorovskit. Futbollistët “kuqezi” prodhuan aksion perfekt në minutën e 27-të me pasime të shkurta e të sakta, ndërsa Emini mban efektin e 100% të saktësisë së goditjeve në këtë ndeshje dhe nga tentimi i dytë realizon për herë të dytë dhe çon shifrat në 2:0. Besart Ibraimi ishte i pafat për të shënuar në këtë periudhë, pasi kishte tre tentime të njëpasnjëshme në fund të fraksionit të parë, por miqtë gjithmonë bllokonin goditjet e tij. E dyta nisi me rritmin e fundit të pjesës së parë, tentime të Ibraimit por që nuk gjenin portën. Kështu mbeti deri në minutën e 69-të kur Hasani sjell kryevepër nga gjuajtja e lirë, duke shënuar për 3:0. Në minutën e 74 kapiteni mundej të gjente golin e dytë personal, mirëpo portieri kundërshtar i ndali një tentim nga situata ballore. Deri në fund Shkëndija administroi me sukses lojën, ndërsa rezultati i lejoi stafit teknik të inkuadrojë në lojë të rinjtë Zejnullain dhe Shefitin. Për të rrumbullaksuar këtë ndeshje me hat-trik u përkujdes Emini në minutën e 90-të, mirëpo shou nuk kishte përfunduar këtu pasi një minutë më vonë Abdurahimi len shenjë në këtë ndeshje duke realizuar për 5:0 pas një depërtimi individual.
SHKËNDIJA-SILEKSI 5:0 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 500
Arbitër: Igor Stojçevski
Arbitra anësorë: Daniel Vasilevski dhe Sashe Toshevski
Delegat: Jovçe Poposki
Golashënues: Emini 13′, 27′ dhe 90′, Hasani 69′ dhe Abdurahimi 90’+1′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Nikollovski, Stojçevski (Sileksi), ndërsa Todorovski, Bejtullai (Shkëndija)
Karton i kuq:
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi (Zejnullai 81′), Cuculi, Ibraimi (Abdurahimi 76′), Totre, Hasani, Çelikoviç, Murati, Emini, Todorovski (Shefiti 86′).
Trajner: Qatip Osmani
SILEKSI: Mitroviq, Gucev, Stojçevski, Georgiev, Nikollovski, Junior (Aleksovski 79′), Bllagojeviç (Timov 24′), Timovski, Filipoviç, Mickov, Bujçevski (Gjorgjeviç 70′).
Trajner: Zhikica Tasevski