Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e 15-të sezonale pasi mundën 1:0 Rabotniçkin në duelin e xhiros së 23-të në LPFM. Goli i dytë sezonal i Stenio Juniorit rezultoi i vlefshëm për tre pikë të reja, megjithëse vendimtar ishte edhe portieri Dino Zahov që prodhoi disa pritje fantastike. Skuadra që në start bëri me dije se don fitoren pas dështimit të javës së shkuar, mirëpo hasi në rival të motivuar që kërkonte ndërprerje të serisë negative. Pas pjesës së parë pa gola, Shkëndija zmadhoi presionin në vazhdim dhe ndryshimi erdhi në minutën e 53-të kur Stenio Junior shënon gol të bukur për epërsi dhe fitore 1:0. Deri në fund kuqezinjtë humbën disa mundësi për gol të dytë, ndërsa edhe miqtë i’u afruan barazimit por gjetën një super Zahov të disponuar në portë. Në fund Shkëndija fiton edhe duelin e tretë kundër Rabotnickit në këtë kampanjë dhe me fitoren e 15-të sezonale shkon në pauzën dy javore të kampionatit shkaku i ndeshjeve të ekipeve përfaqësuesese në eliminatoret për Euro 2020.
PJESA E PARË
Fillimi ishte i qetë me një iniciativë të lehtë të kuqezinjëve që kansojen e parë e sollën në minutën e 11-të. Junior dhe Alimi zhvillojnë aksion të mirë, ndërsa e djathta e Nafiut nuk gjen kuadrantin. Miqtë pas kësaj për disa minuta morrën kontrollin e lojës dhe në minutën e 16-të Sharkoski doli i vetmuar para Zahovit, me gardianin kuqezi që prodhon pritje vendimtare. Pasoi periudhë e qetë dhe Shkëndija ngadalë ktheu dominimin në fushë dhe kërkonte në krahë të depërtonte mbrojtjen e ngjeshur të kundërshtarit, me Muratin që u kanos në minutën e 33-të kur drejtoi në portë një top që me gjasë synonte të asistojë. Pjesa e parë u mbyll me një tentim të bllokuar të Shefitit, e pamjfatueshme për të ndryshuar rezultatin e fillimit.
PJESA E DYTË
Rezultati 0:0 detyroi trajnerin Osmani të përforcojë sulmin dhe në start të fraksionit të dytë Fazli zuri vendin e Shefitit. Presioni i shtuar i kuqezinjëve nuk mund të mos sillte rezultat dhe në minutën e 53-të pas një harkimi në zonë Agim Ibraimi kthen topin për Juniorin me brazilianin që godet saktë për epërsi 1:0.
Pak më vonë Shkëndija sërish gjen rrjetën, tani me anë të Samir Fazli, por goli anulohet për pozicion jashtëloje. Kuqezinjtë vazhduan me tempo të njejtë dhe në minutën e 66-të pas diagonales së A. Ibraimit, Fazli bukur zbret topin me kokë për Alimin, mirëpo goditja e kapitenit bllokohet nga portieri mysafir. Pak më vonë Ibraimi provoi me goditje të fortë nga gjuajtja e lirë, por pa mundur të gjejë kuadrantin, ndërsa tentimi i Alimit në minutën e 71 kontrollohet nga portieri mysafir. Emini dhe Bejtullai patën nga një kanosje të pasuksesshme, para se miqtë të shkojnë pranë barazimit. Bllazhevski godet nga gjuajtja e lirë, ndërsa Zahov prodhon intervenim me vlerë të një goli të shënuar. Gardiani kuqezi shfaqej në nivel të duhur në momentet më vendimtare dhe pak më vonë sërish intervenon saktë pas goditjes së Petkovskit. Rabotniçki vazhdonte të kërkonte barazimin, por pengesë e pakalueshme për miqtë shfaqej Zahov që kontrolloi sigurtë një tjetër kanosje në kohën shtesë. Për t’i vendosur ‘pikën’ paraqitjes fantastike, Zahov prodhoi tjetër intervenim bravuroz në sekondat e fundit kur largoi goditjen e Petroviqit, ndërsa menjëherë pas kësaj arbitri Meçkarovski tregoi fundin e ndeshjes që i takoi minimalisht 1:0 Shkëndijës.
SHKËNDIJA-RABOTNIÇKI 1:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 3 000
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Golashënues: Junior 53′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Nafiu dhe Musliu (Shkëndija), ndërsa Gjeorgievski, Petroviq dhe Manojan (Rabotniçki)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Musliu, Bejtullai, Mici, Totre, Alimi, Junior (Emini 77′), A. Ibraimi (Çeshmexhiev 90’+3′), Nafiu, Shefiti (Fazli 46′).
Trajner: Qatip Osmani
RABOTNIÇKI: Jankov, Herera, Petkovski, Peev, Manojan, Sharkoski (Bllazhevski 73′), Petroviq, Dimitrovski, Gjorgievski, Rumenov, Junior (Çinedu 27′).
Trajner: Zhikica Tasevski