Shkëndija kuqezi kalon në fazën e rradhës të Kupës, por rrezikon shumë në një përballje që duhej të duket më e lehtë falë rezultatit 1:1 nga ndeshja e parë me Rabotniçkin. Shkëndija avansoi herët me Radeskin dhe humbi shumë raste shënimi në vazhdim, ndërsa pa veten të befasuar 10-të minuta para fundit kur Herera barazoi shifrat në 1:1, duke çuar ndeshjen të zgjidhet përmes penaltive ku Shkëndija fitoi 3:2.

Kuqezinjtë gjetën herët epërsinë kur Ibraimi në minutën e katërt depërton para zonës dhe asiston drejt Radeskit, me këtë të fundit që plason pa problem në rrjetën e zbrazur. Në minutën e 13-të Ibraimi godet fortë, mirëpo topi devijohet në rivënie nga këndi. Pasoi një periudhë e qetë kur ne terren thuajse nuk ndodhte asgjë veç kontrollit të lojës nga Shkëndija, për tu rrikthyer emocionet në minutën e 35-të me Alimin që me kokë godet pak mbi portë. Në sekondat e fundit të pjesës së parë kuqezinjtë kishin dy mundësi për të sjellë golin e dytë, mirëpo fillimisht Bozhinovski kontrollon tentimin e Radeskit, ndërsa pak më vonë Emini nuk gjen portën. Pjesa e dytë nisi me rritmin e fundit të së parës kur Bozhinovski ndal tentimin e fortë të Eminit. Në vazhdim Ibraimi krijoi dy mundësi të mira, mirëpo në të dyja rastet fitues doli portieri mysafir. Rastet e humbura sikur i dhanë besim Rabotniçkit që nisi të sulmojë dhe në minutën e 70-të traversa shpëtoi Shkëndijën pas goditjes së Sergio Juniorit. Alimi dhe Emini humbën nga një tjetër mundësi para portës mysafire, ndërsa ndëshkimi i huqjeve erdhi në të 80-ën kur Herera me një të majtë të fortë barazon shifrat në 1:1. Dhjetë minuta kishin kuqezinjtë për të fituar takimin në kohën e rregullt, mirëpo Abdurahimi dhe Emini nuk arritën të shënojnë, deri sa në një rast të dyshimtë kur Abdurahimi ndalet në zonë me faul arbitri tregon që loja duhet të vazhdojë. Kështu takimi përfundoi me rezultat 1:1 si në takimin e parë në Shkup dhe fituesi duhej të vendoset përmes penaltive. Aty koncentrimi ishte në anën e Shkëndijës që fitoi 3:2. Hasani, Emini dhe Alimi ishin të saktë nga pika e bardhë ku gaboi vetëm Ibraimi, ndërsa te miqtë përveç dy shtyllave të goditura nga Herera e Mitrev, Zahov ndal tentimin e Todorovit.

FOTOGALERIA E NDESHJES

SHKËNDIJA-RABOTNIÇKI 3:2 pen. 1:1 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues
: 500
Arbitër: Marjan Gocevski
Arbitra anësorë: Goran Manasiev dhe Petar Novaçev
Delegat: Goce Shoposki
Golashënues: Radeski 4′ (Shkëndija), ndërsa Herera 80′ (Rabotniçki)
Kartona të verdhë: Bejtullai dhe Radeski (Shkëndija), ndërsa Velinov, Duranski, Bilalli dhe Sergio Junior (Rabotniçki).
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi, Totre, Hasani, Çelikoviç (Abdurahimi 84′), Radeski, Murati, Emini.
Trajner: Qatip Osmani
RABOTNIÇKI: Bozhinovski, Mitrev, Herera, Duranski, Velinov (Çinedu 76′), Markoski, Pogosjan (Kadriu 46′), Sergio Junior, Todorov, Bilalli, Rasho (Lazarov 46′)
Trajner: Goran Stankovski

 

Share Now

Related Post