Kuqezinjtë rrigjejnë fitoren në kampionat pasi në xhiron e 11-të mundën Shkupin me rezultat 4:1. Ibraimi, autogoi i Krivanjevës dhe dy realizime të Hasanit i japin skuadrës 3 pikë të reja me të cilat përforcohet kreu i renditjes.
Shkëndija arkëton tre pikë të reja në kampionat pasi me një lojë të sigurtë mundi Shkupin 4:1. Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë shumë pozitive, duke dominuar me lojë dhe shanse ndërsa në këtë periudhë arritën dy herë të tundin rrjetën kundërshtare. Pas disa mundësive të pashfrytëzuara dhe një penaltie të padhënë nga arbitri për një faul të dukshëm ndaj Ibraimit në zonë, ky i fundit prodhon një super aksion individual në minutën e 17-të para se me të majtën mposht Zendelin për epërsi 1:0. Shkëndija vazhdoi të sulmojë dhe kishte mundësi të dyfishojë me Ibraimin dhe Alimin, mirëpo në të dyja rastet shpëton Zendeli. Mirëpo portieri i Shkupit nuk mundi të bëjë asgjë në minutën e 24-t kur pas harkimit nga këndi, Krivanjeva nën presion të lojtarëve të Shkëndijës shënon në rrjetë të gabuar për rezultat 2:0. Ky do të ishte rezultati i 45 minutave të para, ndërsa me të nisur e dyta Ferhan Hasani sjell gol për 3:0 pas një depërtimi të mirë Çelikoviçit. Me epërsi të lartë prej tre golave Shkëndija humbi dy mundësi të mira shënimi, ndërsa Shkupi në të 75-ën gjeti golin e nderit. Zahov ndali bukur tentimin e Ismailit, mirëpo topi dëbohet deri te Jasharovski që realizon për 3:1. Gjithsesi Shkëndija nuk e kishte thënë fjalën e fundit në këtë ndeshje pasi në minutën e 82-të Hasani del i vetmuar para portës, kalon porterin Zendeli dhe me golin e dytë personal realizon për 4:1. Në fund tre pikët mbetën në konton e Shkëndijës që përforcon kreun e renditjes me 31 pikë të grumbulluara pas 11-të xhirove të zhvilluara.
SHKËNDIJA-SHKUPI 4:1 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 000
Arbitër: Marjan Eckoski
Arbitra anësorë: Zharko Todorovski dhe Simon Grdanoski
Delegat: Islam Ismaili
Golashënues: Ibraimi 17′, Krivanjeva og. 24′, Hasani 54′ dhe 82′ (Shkëndija), ndërsa Jasharovski 75′ (Shkupi)
Kartona të verdhë: /
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi, Totre (Bojku 73′), Hasani, Çelikoviç, Radeski (Abdurahimi 80′), Emini (Shefiti 73′), Todorovski.
Trajner: Qatip Osmani
SHKUPI: Zendeli, Maliqi, Bajrami (Imeri 54′), Berisha, Ismaili (Sefo 78′), Krivanjeva, Demiri, Zuka, Adem, Stojkoski, Fatiç (Jasharoski 46′)
Trajner: Ardian Nuhiu