Kuqezinjtë munden në duelin e xhiros së 22-të në LPFM pasi transferta me Shkupin përfundoi me shifrat 1:0. Në një ndeshje jo aq kualitative në një terren të papërshtatshëm për lojë, dy skuadrat zhvilluan më shumë duele se sa futboll aktiv, ndërsa kuqezinjtë kishin edhe mungesa të rëndësishme si Alimi e Murati me nga pesë kartona, ndërsa A. Ibraimi sërish nisi nga pankina pasi gjithë javën është nën terapi shkaku i virozës. Në kushte të tilla ndërprerjet ishin mundësia e vetme për të gjetur golin dhe pikërisht një situatë e tillë rezultoi të jetë vendimtare. Vendasit morrën një penalti të shfrytëzuar në gol nga Muharem Bajrami në minutën e 30-të dhe ky ishte epilogu final i përballeje. Shkëndija tentoi të përgjigjet në vazhdim, në pjesën e dytë iniciativa ishte e kuqezinjtëve, mirëpo rezultati mbeti 1:0 dhe nga ky duel dalim pa asnjë pikë.
PJESA E PARË
Fillimi i ndeshjes solli lojë të balansuar dhe ekipet nuk arrinin të ndërtojnë lojën e dëshiruar në një terren të papërshtatshëm për lojë. Nxitjet e para i sollën vendasit fillimisht në minutën e 17-të kur Serxho Junior lëviz bukur në zonë dhe godet mbi kuadrant në kushte kur doli i vetmuar para Zahovit. Kuqezinjtë përgjigjen katër minuta më vonë kur Imeri drejton topin në pesmetërsh ku portieri Azizi bllokon tentimin e Bojkut. Dy minuta më vonë tjetër aksion i Shkëndijës me Nafiun dhe Imerin, por Azizi në dy kohë arrinë të kontrollojë goditjen e Eminit. Shkëndija morri kontrollin e lojës dhe vazhdoi të krijojë duke shkuar pranë epërsisë me Samir Fazli, mirëpo sulmuesi kuqezi nuk godet saktë me kokë pas harkimit të Micit. Ndëshkimi për rastet e humbura do të vinte në minutën e 30-të kur Muharem Bajrami shënoi për 1:0 nga penaltia, pasi paraprakisht arbitri cilësoi si faul një start ndaj Serxho Junior. U përgjigjëm me një të majtë të papritur të Micit, mirëpo mbi traversë. Vendasit shkuan pranë golit të dytë në minutën e 35-të, por Ustabashi edhe pse sy në sy me Zahovin nuk arrin të shënojë. Fati ishte me vendasit tre minuta më vonë kur pas një harkimi nga këndi goditja e Musliut me kokë u ndal në traversën e portës së Azizit.
PJESA E DYTË
I pakënaqur me rezultatin e pjesës së trajneri Osmani në vazhdim në vend të Imerit në lojë inkuadroi Agim Ibraimin që sërish nuk ishte startues shkaku i virozës që e mundon gjithë javën. Shkëndijat e para i solli Fazli që godet ashpër, por pret sigurtë Azizi. Në anën tjetër u desh intervenim i Zahovit për të neutralizuar goditjen e lire të Serxho Juniorit. Agim Ibraimi do të inspironte aksion të mirë në minutën e 68-të, mirëpo goditja e Eminit me kokë shkoi mbi traversë. I njejti futbollist pak më vonë provoi të majtën e tij që nuk shqetëson Azizin. Të kënaqur me epërsinë vendasit gjithë kohën zvarisnin lojën, duke ulur ndjeshëm intenzitetin e futbollit në terren. Pesë minuta para fundit të kohës së rregullt Ibraimi harkon nga gjuajtja e lirë, por Azizi shpëton para Musliut. Në minutat shtesë Zahov kontrolloi të majtën e Angelovit që u gjet në pozitë ideale për gol. Në fund sfida mbyllet 1:0 dhe pikët shkojnë për skuadrën vendase.
SHKUPI-SHKËNDIJA 1:0 (1:0)
Stadiumi në Çair të Shkupit
Shikues: 3 000
Arbitër: Marjan Eckoski
Golashënues: Bajrami pen. 30′ (Shkupi)
Kartona të verdhë: Braxhi, Tandina, Junior, Muharem dhe Azizi (Shkupi), ndërsa Junior, Mici dhe Bojku (Shkëndija)
SHKUPI: Azizi, Ristovski, Bilalli, Bajrami (c) (Braxhi 45′), Ustabashi (Muharem 66′), Junior, Broja, Ndong, Ismaili, Tabdina (Iseni 75′), Angelov.
Trajner: Umit Karan
SHKËNDIJA: Zahov, Todorovski, Musliu, Bejtullai, Mici, Totre (Junior 59′), Bojku, Emini (c), Imeri (Ibraimi 46′), Fazli (Berisha 73′), Nafiu.
Trajner: Qatip Osmani