Derbi i Tetovës është për Shkëndijën që mund me shifrat 2:1 Renovën në duelin e vlefshëm për xhiron e 27-të në LPFM. Bejtullai dhe Radeski shënuan golat për tre pikët e reja të kuqezinjëve që me fitoren e 5-të me rradhë çojnë në 12-të pikë diferencën me skuadrën e vendit të dytë. Takimi nisi me matje të forcave ndërsa ndryshimin e bën Bejtullai në minutën e 34-t kur nga afërsia sjell avantazh 1:0. Renova nuk u dorëzua dhe katër minuta më vonë nivelizon rezultatin (1:1) me anë të Sadikit. Pjesa e dytë solli një Shkëndijë dominuese që krijoi shumë raste dhe humbi disa mundësi të mira për të shënuar, ndërsa golin e vlefshëm tre pikë e solli Radeski në minutën e 55-të kur konvertoi në gol për 2:1 harkimin e Micit. Kështu kuqezinjtë mbyllin me epërsi prej 12-të pikëve raundin e tretë të garave në LPFM dhe me përparësi të konsiderueshme do të hyjnë në fazën e katërt dhe të fundit në edicionin e sivjetshëm të futbollit elitar në vend që nis javën e ardhëshme në transfertën me Vardarin.
PJESA E PARË
Fillimi solli më shumë luftë për dominim dhe dy ekipet kishin nga një kanosje jashta kuadrantit. Renova herët u detyrua të kryente zëvendësimin e parë kur pas 15-të minutave Ramadani i dëmtuar në një duel me portierin kuqezi Rexhepi u desh t’i lë vendin Mbellës. Pak sekonda më vonë do të vinte mundësia e parë serioze kur Mici lëshon një të majtë të fortë që ndalet mrekullisht nga portieri kundërshtar Gjuriq. Në minutën e 19-të Radeski shërbehet shkëlqyeshëm me top nga Junior, mirëpo aksioni ndalet për pozitë jashtëloje. Ndryshimi erdhi në minutën e 34-t kur pas një këndoreje në zonën kundërshtare u krijua rëmujë, ndërsa më i gjindshëm tregohet Egzon Bejtullai që realizon për 1:0.
Epërsia zgjati vetëm katër minuta pas në anën tjetër pas harkimit të Gafurit nga këndi, Nehar Sadiki kërcen më lartë dhe me kokë shënon për 1:1. Kuqezinjtë u hodhën në kërkim të epërsisë së re dhe Musliu shkoi pranë golit, por vetëm mbi portë edhe pse paraprakisht u duk se kishte faul për penalti ndaj Juniorit.
PJESA E DYTË
Të pakënaur me barazim kuqezinjtë në të dytën kërkonin të kthejnë epërsinë dhe për t’ia arritur qëllimit u deshën 10-të minuta lojë. Junior dhe Mici zhvillojnë aksion të bukur, ndërsa krosimi i saktë në zonë pritet nga Marjan Radeski i cili me kokë sjell avantazh 2:1. Sulmuesi për këtë u përshëndet me duartrokitje frenetike kur në minutën e 64-t u zëvendësua me Eminin. Junior kishte kanosjen e rradhës kur sjell një të majtë fluturimthi, por topi nuk gjen kuadrantin. Me një gol përpara vazhduam të sulmojmë dhe të tretit i’ua afruam në minutën e 72-të kur Gjuriq pret mrekulli të majtën e A. Ibraimit. Renova megjithë dëshirën në këtë periudhë nuk arrinte të reagojë, ndërsa kuqezinjtë sollën dy mundësi me Eminin, por goditjet e tij me kokë nuk gjetën kuadrantin. Nëntë minuta para fundit Bojku depërton në të djathtë dhe harkon para portës ku Gjuriq kontrollon në dy kohë tentimin e Juniorit me kokë. Dominimi sillte tjera mundësi dhe ajo që shpëtoi Gjuriq në minutën e 84-t ishte baraz me gol të shënuar për Renovën. Junior dhe A. Ibraimi kombinojnë në zonë, ndërsa Gjuriq pret mrekullisht të majtën e numrit ’10’. Pak më vonë Ibraimi kthen asistin për brazilianin, mirëpo e djathta e tij shkon skaj portës. Pas një gabimi të Gjuriqit u hap mundësi për kuqezinjtë, mirëpo A. Ibraimi bllokohet në kushte kur kishte Eminin e vetmuar në krahun tjetër. Në fund tre pikët shkojnë në konton e Shkëndijës që çon në 12-të diferencën me vendin e dytë.
SHKËNDIJA-RENOVA 2:1 (1:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 3 000
Arbitër: Marjan Gocevski
Golashënues: Bejtullai 34′ dhe Radeski 55′ (Shkëndija), ndërsa Sadiki 38′ (Renova)
Karton i verdhë: Sadiki (Renova)
SHKËNDIJA: Rexhepi, Murati, Musliu, Bejtullai, Mici, Totre, Bojku, Junior (Fazli 90’+2), A. Ibraimi, Radeski (Emini 64′), Imeri (Nafiu 46′).
Trajner: Qatip Osmani
RENOVA: Gjuriq, Kadriu (Zuka 57′), Ramadani (Mbella 15′), Gafuri (Sulejmani 75′), Stojanovski, Mishkovski, Velija, Sadiki, Abdulla, Adem, Mustafov.
Trajner: Nikolla Ilievski