Dominimi për 90-të minuta nuk mjaftoi që kuqezinjtë të shkonin më shumë se një barazim pa gola në transfertën me Makedonija Gj.P..
• Shkëndija barazon 0:0 në duelin me Makedonija Gj.P. në Shkup
• Kuqezinjtë dominuan, por nuk arritën të gjejnë të paktën një gol
• Ndeshja e rradhës të mërkurën kundër Vardarit në 1/8 e Kupës.
Xhiroja e 12-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut solli barazim pa gola për Shkëndijën që luajti në fushë të Makedonija Gj.P. në Shkup.
Në formacionin startues kishim tre ndryshime në raport me dy ndeshjet paraprake, pasu Junior, Radeski dhe Zejnullai ishin titullarë në llogari të A. Ibraimit, Felipes dhe Imerit që mbetën në pankinë. Fillimi ishte i qetë dhe dy ekipet kishin nga një tentim të pasuksesshëm kur Emini i vendasve dhe Zejnullai ynë nuk gjetën kuadrantin. Në minutën e 17-të pas një dalje te gabuar të portierit vendas Jovanovski, Junior nuk arrin ta ndëshkojë kur tentimi i tij ndalet. Mundësinë më të mirë në pjesën e parë e kishte Radeski në minutën e 18-të kur shërbehet mirë me top me një diagonale, krijon pozitë ballore mirëpo Jovanovski ndal tentimin e tij. Shkëndija kishte dominim të plotë në terren dhe pranë epërsisë shkoi Husmani i cili drejtoi topin në portë në tentimin për të harkuar, por syçelë tregohet Jovanovski që shpëton gol të sigurtë. Në fund të pjesës së parë vendasit u liruan pak nga presioni dhe shfaqën apetite sulmuese, mirëpo gjithçka që arritën të bëjnë ishte goditja e parë në kuadrantin e portës kuqezi me anë të Robsonit, por që kontrollohet pa problem nga Zahov.
Minutat e para të pjesës së dytë sollën vendasit më kërkues, mirëpo Shkëndija shpejt amortiozi lojën dhe u kthye të dominojë në terren. Gjithsesi tempoja e lojës nuk ishte si në të parën, duke qenë se futbollistët e Makedonija Gj.P. mbulonin më mirë dhe si pasojë mungonin shanset e qarta. Rasti më konkret do të mungonte deri në minutën e 60-të kur Junior harkon në zonë ku Radeski me kokë gjuan mbi traversë. Të vendosur në pjesën kundërshtare tanët linin shumë hapsira në mbrojtje dhe në minutën e 73-të pak mungoi të ndëshkohemi kur vendasit zhvillojnë kundërsulm dhe Jasharovski sheh veten para Zahovit, por shpëton me intervenim të saktë Çeshmexhiev. Deri në fund trajneri Gjoka provoi të ndryshojë diçka me inkuadrimin në lojë të A. Ibraimit, Felipes dhe Totres, por goli mungoi dhe në fund mbeti i fiksuar barazimi 0:0.
MAKEDONIJA GJ.P. – SHKËNDIJA 0:0
Stadiumi në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit
Shikues: 500
Arbitër: Marjan Markoski
Golashënues: /
MAKEDONIJA GJ.P.: Jovanovski, Fernando, Lima, Mishevski, Bozhinovski (c) (Jasharovski 68′), Robson, Demir, Vosha (Bllazhevski 89′), Adem, Emini, Karvaljo (Filipovski 82′).
Trajner: Mario Vujoviq
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi, B. Ibraimi (c), Radeski (A. Ibraimi 61′), Murati, Junior, Çeshmexhiev, Zejnullai (Totre 79′), Husmani (Felipe 67′).
Trajner: Ernest Gjoka