-
H 1:1
- ||, |||, 2019/20, test, UEFA Europa League
- 2019-07-30 17:55
- Luxembourg
• Shkëndija barazon 1:1 në transfertën me F91 Dudelange
• Eliminohemi nga Europa League me rezultat të përgjithshëm 3:2
• Humbja 1:2 më Shkup tregohet vendimtare për eliminimin
• Agim Ibraimi shënoi golin e barazimit në kohën shtesë
• Ndeshjen në Luksemburg e mbyllëm me 8 lojtarë, skuqen Musliu, Nafiu dhe A. Ibraimi
Shkëndija përfundon aventurën europiane pasi nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1:1 në transfertën me F91 Dudelange në Luksemburg. Ky rezultat kombinuar me humbjen 1:2 në terren vendas nënkupton eliminim nga kualifikimet e UEFA Europa League me rezultat të përgjithshëm 3:2.
Kuqezinjtë të ardhur me negativë në Luksemburg kërkuan të përmbysin rezultatin me lojë sulmuese që në start. Në minutën e 10-të pas një harkimi nga këndi, Bejtullai lëshon topin me kokë në zonë, ndërsa e majta e Besart Ibraimit ndalet në traversën e portës vendase. Kuqezinjtë vazhduan të diktojnë tempon e lojës dhe qasja e tillë në minutën 15-të solli mundësi për Agim Ibraimi e majta e të cilit shkoi disa centimetra jashta portës. Në anën tjetër një diagonale në drejtim të Stolz solli rast ideal për vendasit, por mbyll portën mirë Zahov që shpëton në situatë ballore me lojtarin kundërshtarë. Në minutën e 27-të fati ishte në anën tonë kur goditja e Sinanit nuk u ndal tërësisht nga Zahov, mirëpo në afërsi gjendet Bejtullai që pastron rezikun. Pak më vonë kërkon golin Morren me goditje nga distanca, por pa mundur të gjejë kuadrantin. Kur kronometri tregonte gjysmë orë lojë Besart Ibraimi sjell një të djathtë të fortë nga distanca, që me shumë vështirësi neutralizohet nga Kips. Në minutën e 36-të për pak nuk gjetëm epërsinë kur pas diagonales së Husmanit, Delgado me kokë kërkon të kthejë topin portierit Kips, cili u parabolua pasi kishte lëshuar portën, mirëpo me forca të fundit arriti të kthehet dhe të shmang pësimin e golit. Pesë minuta para fundit Pokar kanoset rrezikshëm me goditje që shkon pak mbi traversë. Tre minutat e fundit të pjesës së parë vetëm mungesa e fatit sportiv na mohoi epërsinë. Fillimisht A. Ibraimi godet skaj portës në kushte kur ishte i vetmuar para portierit vendas, në vazhdim pasi gardiani kishte lëshuar portën e majta e Felipes nga distanca u pastrua para vijës fatale, ndërsa dy tentimet e Husmanit dhe Felipes u kontrolluan nga Kips.
Pjesa e dytë nisi me fat për tanët, kur pa kaluar dy minuta Bettaieb me kokë dërgon topin në traversë. Në anën tjetër Besart Ibraimi nxjer në mundësi Radeskin, mirëpo goditja e tij u bllokua nga portieri vendas Kips, i cili pa problem kontrolloi pak më vonë edhe të djathtën e Husmanit. Në minutën e 53-të Besart Ibraimi lëviz bukur në zonë dhe sjell një të djathtë të fortë që ndalet mrekullisht nga portieri Kips. Epërsisë i’u afruam në minutën e 61-të kur Agim Ibraimi gjendet para portës, kalon portierin, mirëpo vonohet në goditje e cila bllkohohet nga mbrojtësit e kthyer para portës. Fati ishte me ne kur gjuajtja e lirë e Pokar u ndal në traversën e Zahovit, ndërsa më vonë duhej zgjajte e mirë e portierit tonë për të pastruar goditjen e Pomponit me kokë. Gjërat shkuan keq në minutën e 78-të kur harkimi nga këndi u shfrytëzua nga Delgado që shënoi me kokë për epërsi 1:0 të vendasve, ndërsa situata do të ndërlikohej 6-të minuta para fundit kur Musliu largohet me të kuq pas dy kartonave të verdhë. Në minutën e dytë të kohës Agim Ibraimi barazon rezultatin me gol të bukur nga gjuajtja e lirë, mirëpo shpejt më pas mbetemi me 8-të lojtarë në fushë pasi me të kuq largohen Nafiu për faul dhe A. Ibraimi për portesta. Këtu ishte edhe fundi i ndeshjes me kuqezinjtë që eliminohen nga Europa.
F91 DUDELANGE-SHKËNDIJA 1:1 (0:0) agg. 3:2
Stade Josy Barthel, Luxembourg
Shikues: 1 020
Arbitër: Iwan Arwel Griffiyh (Uells)
Golashënues: Delgado 78’(F91 Dudelange), ndërsa A. Ibraimi 90’+2 (Shkëndija)
F91 DUDELANGE: Kips, Schnell, Pokar (Garos 90’), Sinani, Stolz, Delgado, Bernier (Natami 84’), Kirch, Bettaieb (Pomponi 62’), Morren, Bouchuari.
Trajner: Emilio Ferrera Patricio
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi, Musliu, B. Ibraimi (Imeri 77’), A. Ibraimi, Radeski, Murati (Çeshmexhiev 82’), Felipe (Nafiu 66’), Husmani.
Trajner: Qatip Osmani