Xhiroja e 16-të: Shkëndija – Tikveshi

No image

Nën ethet e kremtimit të 30-të vjetorit të themelimit të grupit të tifozëve “Ballistët”, Shkëndija të dielën synon fitore ndaj Tikveshit në Tetovë.

NDESHJA

Shkëndija vs Tikveshi

Liga e Parë, xhiroja e 16-të

Stadiumi i qytetit në Tetovë

E dielë, 27 nëntor, ora 13:00

Sonte festojmë në promovimin e dokumentarit të 30-të vjetorit të themelimit të grupit të tifozëve “Ballistët”, ndërsa nesër (e dielë) duam të vazhdojmë kremtimin me fitore ndaj Tikveshit. Futbolli elitar në vend rikthehet pas pauzës dy javore shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese dhe dueli i xhiros së 16-të me Tikveshin përkon me festën për jubileun ‘30 vite nga themelimi i “Ballistëve”. Skuadra mes tjerash dëshiron që kremtimi të zbukurohet me fitore në ndeshjen e të dielës, por krahas festës së tifozëve, tre pikët janë synim edhe për të ecur rrugës së objektivave sezonal. Ekipi ka punuar mirë gjatë pauzës dy javore, megjithëse trajneri Osmani nuk ka pasur në dispozicion gjithë futbollistët (Bejtullai e Doriev – Maqedonia A, R. Ramadani – Maqedonia U21, Elezi e Nazifi – Maqedonia U19, Kaba – Maqedonia U18 kishin angazhime me ekipet përfaqësuese). Akcenti është vendosur në përmirësimin e efikasitetit që këtë sezon po tregohet problem goxha serioz.

Tikveshi po zhvillon një prej sezoneve më pozitive në historinë e tyre viteve të fundit. Të rikthyer në elitë pas shumë viteve, u desh pak kohë të stabilizohe në shoqërinë e më të mirëve, e tashmë në këto 15-të xhiro të zhvilluara janë në pjesën e epërme të renditjes me vetëm dy pikë pas Shkëndijës. Shtatë fitore, një barazim dhe gjashtë humbje e mbajnë Tikveshin në vendin e 5-të në renditje me 22 pikë të tubuara. Shkëndija fitonte 3:1 në Kavadar në duelin e parë mes veti këtë sezon dhe tashmë kërkojmë tjetër fitore në fushë vendase. 

Skuadra

Ferhan Hasani ka stërvitur me intensitet maksimal të shtunën, duke dhënë sinjale se ka tejkaluar shqetësimet me kofshën që e zgjati një javë më parë e që e largoi disa ditë nga procesi stërvitor. E njejta vlen edhe për Klisman Caken që kthehet pasi u dëmtua në ndeshjen e fundit me Strugën. Pauza kampionale i erdhi mirë dhe tashmë është gati për lojë. Hasani e Cake janë grumbulluar nga trajneri Osmani për këtë ndeshje, mirëpo për aktivizimin e tyre do të vendoset pak para fillimit të takimit. 

Transmetimi

Shkëndija-Tikveshi zhvillohet të dielën me fillim në orën 13:00 në stadiumin e qytetit në Tetovë dhe do të transmetohet drejtëpërsëdrejti në kanalin zyrtar të Shkëndijës në Youtube (Shkëndija Channel).

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME