Xhiroja e 10-të: Shkëndija – Bregallnica

No image

Të dielën në Tetovë presim Bregallnicën në kërkim të vazhdimit të serisë së fitoreve pas pauzës ndërkombëtare.

NDESHJA

Shkëndija vs Bregallnica

Liga e Parë, xhiroja e 10-të

Stadiumi i qytetit në Tetovë

E dielë, 9 tetor, ora 14:00

Vetëm katër ditë pas triumfit 5:0 ndaj Skopjes, kuqezinjtë rikthehen të luajnë në stadiumin e qytetit në Tetovë, kësaj rradhe në kampionat përballë Bregallnicës. Shkëndija pas pauzës ndërkombëtare është paraqitur shumë mirë në dy takimet me Pobedën (fitore 3:1 në kampionat) dhe Skopjen (triumf 5:0 në Kupë) dhe me moral të ngritur pret duelin e të dielës. Përkundër rezultateve dhe lojës pozitive, realisht Pobeda e Skopje janë dy ekipet që kanë treguar më së paku në pjesën e deritashme të kampionatit, kështu që Bregallnica do të jetë testi i parë më serioz për skuadrën në periudhën që vijon.

Shkëndija kërkon fitoren e 5 kampionale përballë një Bregallnice që pas pauzës nuk është se ka performuar në nivel. Javën e shkuar u mundën 1:3 nga Rabotniçki, ndërsa kaluan Pelisterin në Kupë me fitore minimale 1:0. Me 3 fitore, 2 barazime dhe 3 humbie në 9-të xhirot e para, Bregallnica mban pozitën e 6-të në renditje me 11-të pikë të tubuara.

Skuadra

Bruno Dita e Mevlan Murati duken të rikuperuar nga lëndimet, janë stërvitur me grupin në dy seancat e fundit dhe hyjnë në kombinim për ndeshjen me Bregallnicën, megjithëse për aktivizimin eventual të tyre stafi teknik do të vendos disa orë para ndeshjes. Kthehet edhe braziliani Vagner Gonçalves që të mërkurën ndaj Skopjes mungoi për arsye pezullimi pas kartonit të kuq javën e shkuar me Pobedën. Ndërkohë vazhdon të mbetet jashta kombinimit edhe më tej sulmuesi anësorë Valmir Nafiu, që akoma nuk mund të stërvitet me grupin. 

Transmetimi

Shkëndija-Bregallnica luhet të dielën nga ora 14:00 në Tetovë dhe do të transmetohet direkt në  kanalin zyrtar të Shkëndijës në YouTube (Shkëndija Channel).


SHPËRNDAJE

About Author

TË NGJASHME