Xhiroja 34: Shkëndija vs Skopje

No image

Kuqezinjtë të dielën në orën 16:30 në Tetovë presin Skopjen në takimin e xhiros së 34-t. Me titullin e kampionit të siguruar, trajneri Osmani vazhdon të bëjë rotacion në formacion për të mbajtur ekipin sa më të përgatitur për finalen e Kupës.

Shkëndija është gati për sfidën e parafundit si vendase në këtë sezon shumë të suksesshëm, kur siguroi titullin e kampionit shtatë xhiro para fundit. Në kushte kur pranimi i trofeut ka mbetur vetëm formalitet, kuqezinjtë vazhdojnë të punojnë me përqendrim maksimal, duke kërkuar të japin më të mirën në çdo sfidë të rradhës edhe pse stafi teknik vazhdimisht bën rotacion në formacion. Pas një periudhe më të gjatë, ekipi nuk kishte angazhim në mesjavë dhe kjo i mundësoi trajnerit Osmani që t’u japë futbollistëve pushim dy ditët e para të javës. Nga e mërkura përqëndrimi u drejtua për sfidën e rradhës me Skopjen, ku fitorja mbetet objektiv edhe pse Shkëndija tanimë ka kryer matematikisht punën në drejtim të realizimit të qëllimeve sezonale. Dy sfidat e fundit kampionale (fitore 3:0 me Rabotniçkin dhe 3:1 kundër Sileksit) rikthyen kuqezinjtë në nivelin e vendosur gjatë gjithë sezonit dhe paraqitjet bindëse korospondonin me titullin kampion. Skopje vjen me brenga të mëdha për mbijetesë dhe sigurisht se do të tentojnë të marrin maksimumin e mundshëm për ta në këtë sfidë. Ky duel skuadrat e gjen të distancuara prej njëra tjetrës plotë 50-të pikë (Shkëndija 82 pikë, ndërsa Skopje 32), ndërsa kuqezinjtë kanë 20-të fitore më shumë se rivali (Shkëndija këtë sezon numëron 26 fitore, ndërsa Skopje vetëm 6). Bilansi i dueleve mes veti është në anën e Shkëndijës që nuk njeh humbjen përballë Skopjës, duke fituar 6 nga 10-të duelet e zhvilluara (4 ndeshje janë mbyllur baraz). Në tre duelet e para të këtij sezoni Shkëndija ka shënuar dy fitore (1:2 në Shkup dhe 4:0 në Tetovë), ndërsa përballja e fundit e luajtur në Autokomandë u mbyll me barazim pa gola (0:0).

Trajneri Osmani do të vazhdojë me rotacion në formacion, kësaj rradhe pjesërisht edhe i detyruar nga disa mungesa. Besart Ibraimi ende nuk ndjehet 100% i përgatitur, Visar Musliu dhe Ennur Totre kanë shqetësime me lëndime, ndërsa për shkak të pezullimit mungojnë Besmir Bojku (5 kartona të verdhë) dhe Bekim Rexhepi (karton i kuq).

Shkëndija-Skopje luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:30, saktë një javë para ndeshjes së fundit kampionale (20 maj) kur kuqezinjtë edhe zyrtarisht do të stolisen me titullin kampion dhe do të pranojnë trofeun.