Tre nga tre për shpresat, edhe Shkëndija U16 fiton Kupën

No image

Shkëndija bëhet ‘shtëpia’ e trofeve në edicionin e sivjetshëm të futbollit të Maqedonisë pasi fiton tre Kupa për dy ditë. Sot ekipi U16 i kuqezinjëve triumfoi në Kupën e Maqedonisë duke mundur Rabotniçkin 5:4 me penalti, pasi koha e rregullt e ndeshjes u mbyll me barazim 1:1.

 

Gjeneratat e reja kuqezi mbajnë efekt të 100% të suksesit në ndeshjet finale të Kupës së Maqedonisë. Pasi të martën ekipet U19 dhe U18 të Shkëndijës fituan trofeun e Kupës në kategoritë përkatëse, sot vitrinat e kuqezi pasurohen me tjetër trofe pasi Kupën e Maqedonisë e fiton edhe Shkëndija U16. Ekipi i drejtuar nga Ibraim Luma mundi Rabotniçkin pas ekzekutimit të penaltive me rezultat 5:4, pasi koha e rregullt e ndeshjes përfundoi baraz 1:1. Të entuziazmuar me fitoret e gjeneratave U19 dhe U18 një ditë më parë, sot të bindur për fitore nisën edhe pionerët e rinjë të Shkëndijës. Fiton Ademi në minutën e 26-të shënon për epërsi 1:0, mirëpo kundërshtari përgjigjet me gol në minutën e 38-të kur Kosteski barazon shifrat në 1:1. Pjesa e dytë nuk solli ndryshim kështu që fituesi duhej të vendoset përmes penaltive, ku kuqezinjtë demonstruan efikasitet maksimal. Rrugën e triumfit e hapi portieri Astrit Amzai që ndali goditjen e Kosteskit në serinë e parë, duke i dhënë ekipit përparësi të madhe për vazhdimin e serisë. Ademi, Elezi, Murati, Selimi dhe Qamili ishin të saktë deri në përfundim të serisë së pestë, duke sjellë fitore 5:4 dhe festë të madhe për titullin kampion në Kupën e Maqedonisë.
Të enjten Shkëndija U14 e drejtuar nga Bashkim Arifi do të zhvillojë finalen e Kupës përballë Vardarit.

SHKËNDIJA U16-RABOTNIÇKI U16 1:1 (1:1)
Stadiumi “Burimet e Bilianës” në Ohër
Golashënues: 1:0 Fiton Ademi 26’, 1:1 Luka Kosteski 38’ (4:5 me penalti – Ademi, Elezi, Murati, Qamili dhe Selimi)
SHKËNDIJA U16: Astrit Amzai, Kadri Palloshi, Altrim Jakupi, Redon Qamili, Neshat Murati, Imran Fetai, Fiton Ademi, Dashmir Berzati, Dashmir Elezi, Çlirim Selimi, Amar Emruli.
Luajtën edhe: Rinor Veliji dhe Lorik Lika.
Trajner: Ibraim Luma