Rikuperimi i Merxhanit vijon sipas planit

No image

Mbrojtësi i majtë vazhdon procesin e rikuperimit pas operimit të ligamenteve, derisa dy javë qëndroi për terapi në Kroaci. 

Zija Merxhani vazhdon të punojë me intensitet jashta terreneve të gjelbërta, derisa me përkushtim ndjek rekomandimet e ekipit mjekësor për fazën e rehabilitimit. 

Mbrojtësi i majtë tashmë dy muaj ka operuar ligametet e kryqëzuara të gjurit të majtë, ndërsa së fundmi qëndroi dy javë në Kroaci në një qendër të njohur ku pas lëndimeve trajtohen shumë sportistë të njohur. Pas operimit të suksesshëm në Shkup, 27 vjeçari pranoi rekomandimin për të qëndruar në Kroaci, në klinikën e specializuar për lëndime të kësaj natyre në vendin Daruvarske Toplice. 

Për fat të mirë gjithçka është duke shkuar si duhet. Pas operacionit, për 15 ditë kam kryer terapitë e nevojshme në Shkup, pastaj një javë kam punuar në Tetovë me trajnerin kondicional të klubit tonë, Ivan Jovanovski, derisa 14 ditët e fundit isha në Daruvarske Toplice të Kroacisë”, sqaron Zija Merxhani punën e bërë deri tani në procesin rehabilitues pas dëmtimit të rëndë. 

Qëndrimi në Kroaci mendoj se ishte vendim i qëlluar. Është një qendër e njohur ku janë rikuperuar me sukses shumë futbollistë të njohur, përfshi edhe sportistë nga sporte tjera. Kisha dëgjuar nga tjerët, por tash u vërtetova edhe vetë se është diçka shumë e veçantë. Profesionalizmi në nivel dhe terapi që besoj ndihmojnë shumë, shton Merxhani. 

Ai duke qenë jashta fushës në asnjë moment nuk shkëput sytë nga skuadra, derisa vlerëson se ekipi ka forcë të vazhdojë qëndrimin në vendin e parë.

Ecuria prej 5 fitoreve, 1 barazim dhe 1 humbje nga 7 ndeshjet e para mendoj se merr notë pozitive. Kishim super start me 4 fitore të njëpasnjëshme, barazimi në derbi me konkurentin për titull edhe lejohet, ndërsa peng i vetëm mbetet humbja me Sileksin. Mirëpo reaguam mirë me tre pikë ndaj Makedonija Gj.P. dhe tani na duhet vazhdimësi dhe seri e re fitoresh. Në Gostivar nuk do të jetë lehtë, mirëpo besoj te ekipi dhe pres fitore të re”, përfundoi Zija Merxhani, i cili këputi ligamentet e kryqëzuara në ndeshje kontrolluese gjatë fazës përgatitore në Slloveni. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME