Raporti i ndeshjes | Barazojmë në testin me Dinamo Kievin

No image

Shkëndija luan 1:1 me Dinamo Kievin në ndeshjen e fundit kontrolluese në Antalia, para kthimit nesër në Tetovë. Shala shënoi golin për kuqezinjtë. 

Kuqezinjtë mbyllin me sukses serinë e 5 ndeshjeve kontrolluese (4 në Antalia dhe 1 në Tetovë) në këtë fazë përgatitore, duke barazuar sot 1:1 me Dinamo Kievin e Ukrainës. Kjo ishte hera e parë që Shkëndija nuk fiton në këto përballje, duke pranuar madje golin e parë në pesë takime. 

Trajneri Jeton Beqiri e shfrytëzoi këtë takim si provë gjenerale para vazhdimit të gjysmësezonit pranveror në elitën vendore, duke bërë kombinimet e fundit në formacion në drejtim të ndërtimit të skuadrës që don ta shohë në kampionat. Me portën për Taleskin, mbrojtja pa të rreshtuar Kocevin, Meliqin, Caken dhe Rexhepin. Në mesfushë Qaka para vetes kishte Totren e Krasniqin, derisa treshen e sulmit e përbënin Çinari, Shala dhe Ademi. Ky formacion luajti deri në minutën e 56-të kur Adili zuri vendin e Cakes, Webster mori krahun e majtë të mbrojtjes, Dita hyri në vend të Qakës, Krstevski për Shalën, ndërsa Aganspahiç mori pozitën e Ademit. Më vonë Meliqi i la vendin Nuhijës që u pozicionua në mesfushë, me Ditën që kthehet prapa në qendër të mbrojtjes me Caken. Velija zëvendësoi Kocevin, Amzai Taleskin, kurse deri në fund në lojë u inkuadruan edhe Jakupi, Kurti dhe Ramadni. 

Ndeshja nisi me dy kërcnime të ukrainasve, ndërsa u përgjigjëm me dy raste të Ademit, i cili fillimisht goditi mbi traversë, ndërsa më vonë direkt në portierin Bushchan. Në minutën e 14-të portieri i Dinamos intervenoi mirë pas goditjeve të Çinarit dhe Totres, kurse goli i Çinarit u anulua për pozitë jashtë loje. Gjithsesi do të avansonim në minutën e 26-të kur Meliqi nxjerr para një top, Krasniqi vazhdon për Ademin, i cili krijon bukur hapsirë dhe asiston drejt Shalës e majta e të cilit i kalon nëpër duar portierit kundërshtar për epërsi 1:0. Deri në pauzë dy ekipet sollën nga një kanosje, fillimisht Taleski ndali goditjen e Brazhkos, ndërsa në anën tjetër e majta e fortë e Çinarit me shumë pasiguri neutralizohet nga Bushchan. 

Me ndryshime të konsiderueshme edhe stabiliteti pësoi luhatje dhe Dinamo kishte një iniciativë të lehtë, derisa në minutën e 60-të me sulmuesin Vanat barazojnë në 1:1. Bruno Dita tentoi golin me një të majtë jo të saktë në minutën e 63-të, derisa nga minuta e 68-të në lojë te Dinamo Kievi u inkuadrua ish-futbollisti ynë Reshat Ramadani. Nëntë minutat e fundit në lojë ishin kundër njëri tjetrit vëllezëri Ramadni, pasi trajneri Beqiri lëshoi në lojë Florentin.

Rezultati mbeti 1:1 dhe kështu kuqezinjtë mbyllin një fazë përgatitore të sukseshme. Ky ishte barazimi i parë në këto përgatitore, pasi paraprakisht kemi mundur Skopjen (6:0) në Tetovë dhe Dinamo Batumin (2:0), Warta Poznan (1:0) e FK Liepāja (1:0) në Antalia. 

SHKËNDIJA-DYNAMO KYIV 1:1 (1:0)

Kaya Palazzo, Belek – Antalia 

Golashënues: Shala 26’ (Shkëndija), ndërsa Vanat 60’ (Dynamo Kyiv)

SHKËNDIJA: Taleski, Kocev, Meliqi, Cake, Rexhepi, Qaka, Totre (c), Krasniqi, Çinari, Shala, Ademi. 

Luajtën edhe: Webster, Dita, Krstevski, Aganspahiç, Adili, Amzai, Nuhija, Velija,  Jakupi, Ramadani, Kurti.

Trajner: Jeton Beqiri

Share Now