Qaka: “Forma jonë po përmirësohet, pasojnë ndeshje edhe më të mira”

No image

Kuqezinjtë kanë shfrytëzuar tre ditë të lira pas fitores 2:0 të dielën në fushë të Skopjes, derisa ky mini-pushim u bë i mundshëm shkaku i pauzës ndërkombëtare të kampionatit. Shkëndija ndërperjen momentale të kampionatit e priti me seri pozitive prej 3 fitoreve të njëpasnjëshme, apo 4 triumfe në 5 ndeshjet e fundit ku kemi edhe barazimin pa gola me Bregallnicën në Shtip. 

Nga ndeshja në ndeshje forma jonë shkon në ngritje e sipër dhe jam i sigurtë se në periudhën që pason Shkëndija do të performojë edhe më mirë. Të gjithë punojmë me seriozitet maksimal dhe e dimë se nga ne priten vetëm fitore. Është normale që të nevojitet pak kohë për të komponuar ekipin pas ndryshimeve në merkato dhe besoj se gjërat ngadalë kanë gjetur vendin e vet”, thotë mesfushori Kamer Qaka, i cili ashtu si gjithë skuadra edhe vetë po gjen formën e tij optimale. 

Pavarësisht se kam qenë këtu edhe më herët, ekipi ka pësuar ndryshime dhe duhet gjithmonë një periudhë e caktuar për tu përshtatur me grupin. Pastaj një dëmtim që në start të përgatitjeve më penalizoi, duke humbur disa seanca stërvitore. Por tani që ndjehem mirë e shoh se mund të ndihmoj skuadrën dhe jam i lumtur që edhe rezultatet tashmë janë ato që dëshirojmë”, shton Qaka. 

Pas tre ditëve të lira, futbollistët sot kthehen në stërvitje dhe pavarësisht se fundjava nuk sjell angazhim kampional, ekipi do të punojë për atë që e pret në vazhdim të kampionatit.

Këto tre ditë pauzë na erdhën mirë për të pushuar pak, sepse e dimë se në vazhdim na pret orar i ngjeshur në kampionat dhe Kupë. Ne duam trofe dhe pavarësisht se sa kemi lëshuar më parë, deri në fund do të luftojmë për të marrë më të mirën. Kampionati po bëhet interesant, diferencat po ngushtohen, rivalët do të lëshojnë akoma pikë dhe nëse ne mbajmë kontinuitet në rezultate, personalisht Shkëndijën  e shoh kampione në fund të sezonit”, përfundoi 27 vjeçari. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME