
Me respekt për kundërshtarin, por me bindje për fitore udhëtohet të dielën drejt Shtipit, ku Shkëndija do të ndeshet me Bregallnicën në kuadër të xhiros së 21-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Sulmuesi anësorë Adenis Shala vlerëson maksimalisht këtë duel, duke paralajmëruar se ekipi kërkon tre pikë nga kjo transfertë.
Ndeshja Bregallnica – Shkëndija luhet të dielën në Shtip me fillim në orën 14:00.
….dueli me Bregallnicën….
Adenis Shala: “Duke llogaritur ndeshjen e fundit që kemi zhvilluar ndaj tyre në Tetovë, mendoj se Bregallnica është rival mjaft i vështirë për tu mposhtur. Mirëpo unë kam besim te ekipi unë dhe nëse japim 100% nga vetja, prej këtij dueli do të dalim me rezultat pozitiv.”
….forma e skuadrës….
Adenis Shala: “Të gjithë në skuadër jemi të vetëdijshëm se nuk e kemi nisur mirë këtë sezon. Mirëpo duke pasur parasysh se akoma ka shumë ndeshje për tu zhvilluar, mendoj se do të arrijmë objektivin që e kemi ne si klub. Shpresoj t’ia dalim, pasi Shkëndija gjithmonë kërkon vetëm fitore dhe për këtë jemi të vetëdijshëm të gjithë ne lojtarët.”
….mungesat në formacion….
Adenis Shala: “Vërtet kemi pasur disa mungesa në ndeshjet e fundit, mirëpo mendoj se kemi mjaft lojtarë dhe secilit që i jepet mundësia të luaj duhet të japë 100% nga vetja dhe të kontribuojmë për të dalur me rezultate pozitive.”
….fitore dhe gol nga Shala?….
Adenis Shala: “Po, mendoj se të dielën do të fitojmë me Bregallnicën. Natyrisht shpresoj edhe të shënoj. Është koha për gol.”
