PREVIEW | Shkëndija vs Pobeda

No image

Rikthehen emocionet e fundjavës në LPFM me Shkëndijën që të dielën nga ora 15:30 në Tetovë pret Pobedën e Prilepit në duelin e xhiros së 25-të.

I pari me të fundit gjithmonë i jep liderit rolin e favoritit absolut. Mirëpo nga tabori i Shkëndijës me shumë kujdes shohin duelin e të dielës me Pobedën, pasi të mësuar nga e kaluara nuk duan t’i lejojnë vetes të zihen në befasi. Kuqezinjtë rikthehen të luajnë para publikut vendas saktë dy javë pasi mundën Rabotniçkin në duelin e fundit para pauzës ndërkombëtare, ndërsa në vazhdim të kampionatit të enjten ishin bindës 3:0 në transfertën me Sileksin në Kratovë. Ekipi duket se ngadalë gjenë formën e duhur, pasi në dy takimet e fundit portieri Zahov ruan të paprekur rrjetën e tij, derisa në Kratovë ekipi manifestoi realizim të kënaqshëm, që realisht shfaqej si problem në pranverë. Stafi teknik në dispozicion kishte dy ditë për të përgatitur skuadrën për sfidën me Pobedën dhe duket se ekipi në gatishmëri pret sfidën e rradhës në kampionat.

 

 

 

Të rejat në skuadër
Trajneri Qatip Osmani më në fund ka në dispozicion gjithë futbollistët e lënduar, përjashtuar Besart Ibraimin që ka lëndim të natyrës më të rëndë dhe rikuperimi i tij kërkon periudhë më të gjatë kohore.

Më në fund minuta kampional për Radeskin që u inkuadrua në lojë të enjten kundër Sileksit dhe ngadalë duket se gjen formën e tij garuese pas pauzës prej 8 muajve shkaku i operimit të ligamenteve. Shkaku i pesë kartonave të verdhë mungon mbrojtësi Visar Musli, ndërsa pasi munguan në Kratovë në kombinim kthehen edhe Omar Imeri e Shefit Shefiti që ishin të angazhuar me Shqipërinë U21.

Kundërshtari
Nëse Shkëndija në këtë duel vjen me dy fitore rresht pa gol të pranuar, në situtatë krejtësisht të kundërt gjendet Pobeda që nuk njeh fitoren në pranverë. Katër humbje dhe një barazim në pesë ndeshjet pranverore, duke u shtuar edhe disfatën 3:1 në gjysmëfinalen e parë të Kupës kundër Akademia Pandevit. Skuadra nga Prilepi vjen më e pushuar në këtë duel pasi në mesjavë nuk zhvilloi ndeshjen me e xhiros së 24 kundër Akademia Pandevit, me skuadrën nga Strumica që morri përgjigje pozitive nga FFM për shtyrje të këtij dueli për datën 1 maj shkaku i angazhimit të disa futbollistëve në ekipet përfaqësuese të shpresave. Përkundër faktit se situata momentale Shkëndijën e vëndos në rolin e favoritit absolut, kuqezinjtë janë të kujdesshëm të paralajmëruar nga përvoja e keqe nga e kaluara. Këtë sezon në takimin e parë në Tetovë ekipi nga Prilepi doli me fitore, ashtu si në takimet e Kupës ku Shkëndija pa veten të eliminuar. Ndërkohë dueli i dytë sezonal i luajtur në Turnovë i takonte Shkëndijës me shifrat 2:0. Tash pason duel i ri, kuqezinjtë fshijnë të kaluarën dhe kërkojnë tre pikë të reja në rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit të kampionit.

Takimi Shkëndija-Pobeda luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 15:30.