
Me reprezentuesit e kthyer në skuadër, Shkëndija punon për ndeshjen e rradhës në kampionat të dielën në Tetovë. Hasani ankohet në lëndim.
Kuqezinjtë u kthehen detyrave të tyre në seancat stërvitore dhe në “menu” është skuadra e Tikveshit. Nga sot në ekip janë kthyer futbollistët që kishin angazhime me ekipet përfaqësuese (Bejtullai e Doriev – Maqedonia A, R. Ramadani – Maqedonia U21, Elezi e Nazifi – Maqedonia U19, Kaba – Maqedonia U18), megjithëse sipas instruksioneve të trajnerit kondicional seancat e tyre stërvitore do të nivelizohen në përputhshmëri me gjendjen e tyre fizike.
Bilansi shëndetësor
Ferhan Hasani – nuk ka punuar sot me grupin, pasi nga e shtuna ankohet në lëndim. Kapiteni ka pësuar zgjatje të kofshës së prapme dhe me ekipin mjekësor punon për tu riaftësuar për ndeshjen e të dielës.
Klisman Cake – ka hyrë të punojë me grupin, pasi kishte të lënduar kyçin e këmbës. Mbrojtësi u dëmtua në minutat e para të duelit me Strugën, provoi të vazhdojë lojën por u zëvendësua në minutën e 51-të. Pauza ndërkombëtare i erdhi mirë në aspekt të rikuperimit dhe brenda javës do të shihet nëse do të jetë gati për lojë.
Dashmir Elezi – pësoi lëndim më të lehtë në pjesën e shpinës në paraqitjet me Maqedoninë U19. Nuk ka diçka shqetësuese me të dhe pritet të jetë në 100% të mundësive deri në ndeshjen e të dielës me Tikveshin në Tetovë.
