Mbrojtja e padiskutueshme: Shkëndija, pa gol të pranuar në tre kontrolluese

No image

KF Shkëndija ka ecur shkëlqyeshëm në ndeshjet kontrolluese, ku në sy bie fakti se në 3 ndeshje në vitin 2024 akoma nuk kemi pranuar gol, derisa kemi shënuar 9 herë. 

Pa të drejtën dhe pretendimin për tu kënaqur me vetëm tre ndeshje miqësore, gjithsesi në drejtim të vlerësimit të punës së deritashme del në pah se paralel me tre fitoret në testet e luajtura, kuqezinjtë akoma nuk kanë pranuar asnjë gol në këto 270 minuta lojë. 

Nëpërmjet një performanse të shkëlqyer, KF Shkëndija ka ruajtur portën të paprekur në të gjitha tre ndeshjet kontrolluese të kësaj faze përgatitore. Ky rezultat nuk është thjesht një shenjë e aftësive mbrojtëse të ekipit, por gjithashtu shpërfaq përkushtimin dhe koordinimin e mirë të lojtarëve në fushë.

Pa dashur të heqim meritën e gjithë ekipit, sepse mbrojta e mirë fillon nga sulmi, gjithsesi meriton komplimente gjithë defanziva ku trajneri Beqiri vazhdimisht ka bërë kombinime të ndryshme. E posaçërisht treshja e portierëve që në mënyrë të kombinuar kanë ndarë minutat në këto përballje. Davor Taleski, Ferat Ramani dhe së fundmi edhe Astrit Amzai kryen punë të mirë në kuadrat, derisa me disa me intervenime të suksesshme mbajnë meritën më të madhe për 0 gola të pranuar në këto tre ndeshje. Padyshim kjo meritë edhe e trajnerit të portierëve, Saledin Mustafi. 

Për fat të mirë, kjo mungesë e golave në rrjetën tonë nuk është rezultat i një taktike ultra-defensive, por shpreh një harmoni të mirëfilltë mes reparteve të ekipit. Në këto ndeshje, Shkëndija ka treguar një formë të shkëlqyer, duke fituar takimet kundër ekipit të Skopjes me rezultatin 6:0 në Tetovë, si dhe Dinamo Batumin me rezultatin 2:0 në Antalia, dhe së fundmi po në Turqi ndaj Warta Poznan me rezultatin 1:0.

Kjo ecuri pozitive nuk duhet vetëm të sjellë kënaqësi tek tifozët, por gjithashtu duhet të jenë një frymëzim për ekipin dhe stafin teknik. Për Shkëndijën, ky fillim paraqet një bazë të fortë për sfidat që vijnë, dhe shprehet një besim i madh se puna e vazhdueshme do të sjellë suksese të tjera në rrugën e tyre sportive.

Share Now

Related Post