Kuqezinjtë fitojnë 3:2 kontrolluesen me Petrolul Ploiestin. Dy gola të Çinarit dhe një i Milevit vendosën fatin e ndeshjes. Bashkë me përforcimet, debuton edhe i riu i shkollës Anes Meliqi.
Shkëndija e nis mbarë serinë prej 4 ndeshjeve kontrolluese në fazën përgatitore në Rogla të Sllovenisë. Kuqezinjtë fituan 3:2 përballë rumunëve të Petrolul Ploiesti në një duel me mjaft intensitet dhe një super pjesë të parë ku u shënuan të 5 golat. Trajneri Nuhiu nga lojtarët e ardhur këtë verë aktivizoi vetëm Adilin, si partner të Cakes në qendër të mbrojtjes.
Shkëndija nisi shumë mirë takimin dhe në minutën e katërt avansuam me golin e Çinarit, pas asistit të Shalës. Rumunët u përgjigjën shpejtë me gol të Budescut për 1:1 në minutën e gjashtë. Loja e hapur nga dy palët vijoi edhe më tej dhe në minutën e 17-të Milev sjell epërsi 2:1 pas asistit të Çinarit. Shkëndija u duk se ka kontroll të lojës, por gol do vinte në rrjetë të Taleskit në minutën e 33-të kur goditja e Budescut devijohet në rrjetë nga Adili. Reagimi i kuqezinjëve nuk do të vononte, pasi në minutën e 35-të fitojmë faul para zonës, ndërsa Çinari me super gol realizon për 3:2.
Pjesa e dytë nisi me 6-të zëvendësime nga trajneri Nuhiu, që inkuadroi në lojë Zahovin, Merxhanin, Limanin, Ramadanin, Krasniqin dhe Elezin, më vonë u futën edhe Jakupi, Nuhija dhe i riu i bashkuar me ekipin e parë nga shkolla e futbollit Shkëndija, Anes Meliqi. Në fund 20 minuta edhe për Maksimovin, që kursehet nga stafi teknik shkaku i angazhimeve me përfaqësuesen U21 të Maqedonisë së Veriut.
Pjesa e dytë prodhoi disa mundësi para të dyja portave, mirëpo rezultati mbeti i pa ndryshuar me Shkëndijën që fiton 3:2.