Kuqezinjtë barazojnë pa gola në transfertën me Skopjen, por ruajnë distancën prej 16-të pikëve para vendit të dytë. Shkëndija dominoi takimin dhe kërkoi vazhdimisht deri në fund fitoren edhe pse nga minuta e 53-të luajti pa Adilin e përjashtuar me karton të kuq. Ndalet në 29 numri i ndeshjeve të njëpasnjëshme në kampionat në të cilat kuqezinjtë shënonin të paktën një gol.
Shkëndija ndalet me barazim pa gola në fushë të Skopjes, duke i dhënë fund serisë prej 29-të ndeshjeve të njëpasnjëshme në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë në të cilat shënohej të paktën një gol. Kuqezinjtë për herë të fundit nuk kishin realizuar sezonin e kaluar në fillim të majit të vitit 2017, ndërsa kjo ishte hera e parë në këtë sezon që ekipi nuk arrin të gjejë rrjetën kundërshtare. Gjithsesi, barazimi mban ekipin në distancë të njejtë, 16-të pikë para rivalit të vendit të dytë që gjithashtu këtë xhiro barazoi pa gola.
Shkëndija sot kërkoi fitoren që në start kundër Skopjes dhe kanosjen e parë e solli Ibraimi në minutën e katërt, por tentimi i tij pritet nga portieri vendas Stefanoviç. Skopje u përgjigj me Petkovskin që nuk gjeti kuadrantin, ndërsa në anën tjetër Radeski nuk arrin të shënojë pas një asisti të mirë të Ibraimit. Në vazhdim tentoi dy herë Alimi por pa mundur të gjejë portën, ndërsa në minutën e 28-të me pritje vendimtare shfaqet Zahov që ndal bukur goditjen e lirë të Bopesut. Në çastet e fundit të pjesës së parë mundësi e mirë për Alimin, por mesfushori edhe një herë goditi jashta portës vendase.
Të kënaqur me barazimin futbollistët e Skopjes u orientuan në mbrojtje që në start të fraksionit të dytë, kur Musliu solli kanosjen e parë por joprecize. Detyra e Shkëndijës për të depërtuar mbrojtjen e ngjeshur vendase u vështirësua në minutën e 53-të, kur me karton të kuq nga loja u përjashtua Mevlan Adili (kartoni i dytë i verdhë). Edhe pse në negativë numerike, kuqezinjtë vazhduan të sulmojnë duke sjellë nga këmbët e Ibraimit vinin kanosjet më serioze në drejtim të portës vendase. Mirëpo përkundër iniciativës duket se nuk ishte e shkruar të shihet gol në këtë përballje të luajtur në terren joadekuat, ndërsa në çastet e fundit Stefanoviç ndali tentimin e Ibraimit nga gjuajtja e lirë. Barazimi la të gëzuar vendasit, që megjithëse mbajnë vendin e fundit, falë serisë së mirë bashkë me Shkëndijën mbeten ekipet e vetme pa humbje në gjysmësezonin pranveror.
SKOPJE-SHKËNDIJA 0:0
Stadiumi në Autokomandë në Shkup
Shikues: 500
Arbitër: Dejan Jakimovski
Arbitra anësorë: Nikolla Karakolev dhe Goran Manasiev
Delegat: Zoran Zllatanovski
Golashënues: /
Kartona të verdhë: Bopesu, Liçina dhe Koffi (Skopje), ndërsa Ibraimi, Adili 2 dhe Cuculi (Shkëndija)
Karton i kuq: Adili 53’ (Shkëndija)
SKOPJE: Stefanoviç, Bopesu, Liçina, Aleksovski (Dimitrovski 90’+3), Petkovski, Desniq (Kocev 86’), Koffi, Ousseini, Pecov, Demir (Janevski 24’), Nastevski.
Trajner: Lupço Markovski
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi, Fazllagiç (Totre 75’), Radeski (Bojku 84’), Musliu, Junior (Murati 59’), Emini, Adili.
Trajner: Qatip Osmani