Tre gola për tre pikë të reja të kuqezinjëve. Radeski dhe Emini në të parën, si dhe Musliu me golin debutues në të dytën fiksuan fitoren 3:0 përballë Pobedës në kuadër të xhiros së 22-të në LPFM.
Trajneri Osmani ndeshjen e nisi sërish me vendosjen 3-4-1-2, me Eminin si titullar që luante pas sulmuesve Ibraimi e Radeski, ndërsa në pankinë qëndroi kapiteni Hasani. Kuqezinjtë nisën agresiv që në start dhe kërkonin gol të shpejtë i cili do të vinte në minutën e 9-të pas një aksioni model të Bejtullait dhe Ibraimit, ndërsa me përfundim të saktë e mbylli Radeski që shënoi për 1:0. Pak më vonë për pak nuk pamë një gol të pazakontë kur vertikalizimi i Totres befasoi lojtarët kuqezi por edhe portierin mysafir, që gjithsesi ishte me fat pasi topi shkoi skaj shtyllës. Në vazhdim kanosja e Eminit u kontrollua nga Tofiloski, ndërsa miqtë kanosjen e parë dhe të vetme në fraksionin e parë e kishin në minutën e 21 kur Danoski me kokë godet mbi portë. Ndryshimi do të vinte në minutën e 36-të kur Ibraimi asiston për Eminin, i cili lëviz bukur duke kaluar portierin kundërshtar dhe me një të djathtë preciz çon shifrat në 2:0. Ky ishte rezultati i pjesës së parë, ndërsa me të nisur e dyta erdhi goli i tretë me autor Visar Musliun, që gjen golin debutues në fanellën e Shkëndijës. Dukej e pazakontë që në një ndeshje ku kuqezinjtë kishin realizuar tre herë dhe në listën e golashënuesve mos figuronin emrat e dyshes Hasani-Ibraimi, ndërsa ky i dyti humbi rastin më të mirë në minutën e 51 kur shpërdoroi një penalti të fituar nga Radeski. Rezultati i thellë i mundësoi stafit teknik të menaxhonte forcat dhe brenda pak minutave bëri tre zëvendësime kur Hasani, Wakili dhe Shefiti zunë vendin e Alimit, Juniorit dhe Eminit. Në minutën e 54-t Ibraimi kishte tentim tjetër që shkoi mbi portë, ndërsa në anën tjetër Zahov ndali goditjen e Geshoskit me kokë, para se në vazhdim arbitri me të drejtë të anulojë golin pas lojës me dorë të sulmuesit të Pobedës. Në minutën e 67-të rëmujë para portës mysafire kur u ndalën disa tentime të kuqezinjëve, ndërsa gërshërët e Bejtullait shkuan pak skaj portës. Dy minuta më vonë tentimi i bukur i Hasanit nuk gjeti kuadrantin, ndërsa në minutën e 77-të Ibraimi humb tjetër mundësi kur tejkalon portierin kundërshtar mirëpo nuk gjen portën. Deri në fund regjistrojmë tentimin e bukur të Hasanit nga gjuajtja e lirë, që kontrollohet në portë nga Tofiloski, ndërsa të njejtin epilog pati edhe tentimi i Shefitit. Gjithsesi tre pikët shkuan në konton e Shkëndijës që rrit në 14 pikë diferencën në krye të renditjes, para se rivalët të dielën të luajnë ndeshjet e kësaj xhiroje.
Shihni FOTOGALERINË e plotë
SHKËNDIJA-POBEDA 3:0 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 4 000
Arbitra: Jovan Kaçevski
Arbitra anësorë: Aco Macevski dhe Simon Grdanoski
Delegat: Zllatko Çubrinovski
Golashënues: Radeski 9′, Emini 36′ dhe Musliu 47′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Wakili, Musliu dhe Bejtullai (Shkëndija), ndërsa Tofiloski (Pobeda)
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi (Hasani 55′), Cuculi, Ibraimi, Totre, Radeski, Musliu, Junior (Wakili 55′), Emini (Shefiti 65′), Adili.
Trajner: Qatip Osmani
POBEDA: Tofiloski, Jaqimoviq, Danoski (Junior 53′), Najdovski (Spirkoski 73′), Ivanoviq (Geshoski 46′), Dimitrioski, Karçeski, Krsteski, Loga, Trajkoski, Naumoski.
Trajner: Sllavolub Bubanja