‘Kuqezinjtë’ kanë siguruar epërsi solide në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë, pasi në Kërçovë si vendas mundën 2:0 Metalurgun. Pas një serie të shkëlqyeshme prej 6-të fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat, trajneri Duro bëri disa ndryshime në formacion, duke pushuar apo administruar minutazhin e lojtarëve të caktuar që kanë pasur ngarkesë më të madhe në ndeshjet paraprake. Pollozhani dhe Alimi u lanë të lirë, Cuculi mungoi për shkak të kartonit të kuq, në pankinë ishin lënë Ibraimi, Zhunior, Vryçina e Bejtullai, ndërsa në pjesën e dytë nga loja u tërhoqën Hasani, Totre dhe Kirovski. Në këtë ndeshje për herë të parë në një ndeshje zyrtare në fanellën e Shkëndijës u paraqitën mbrojtësi brazilian Karlinjo Rech që luajti si titular për 90-të minuta, ndërsa në pjesën e dytë u inkuadrua edhe mesfushori i talentuar kosovar, Meriton Korenica. Gjithsesi në teren ‘kuqezinjtë’ arsyetuan rolin e favoritit. Në fillim me impenjimin e tij u dallua Besir Demiri që solli kanosjet e para, ndërsa në minutën e 18-të i njejti futbollist zhbllokoi rezultatit me goditje nga gjuajtja e lirë, që me pak fat përfundoi në rrjetë. Këtu Shkëndija rriti presionin dhe në minutën e 23-të pas një aksioni të mirë Todorovski harkon saktë, ndërsa Kirovski me kokë realizon për 2:0. Ekipi i ri i Metalurgut mundësinë më serioze për të shënuar e solli në kohën shtesë të pjesës së parë, mirëpo mbrojtja e Shkëndijës në krye me portierin Jovanovski arritën të ruajnë portën. Në pjesën e dytë tempoja e lojës ishte më e ulët, ndërsa ‘kuqezinjtë’ krijuan disa mundësi që mbetën të parealizuara. Kirovski ishte në qendër të vëmendjes me dy raste të humbura, ndërsa në fund disa tentime kishte i riu Shpend Asani por pa mundur të gjejë rrjetën. Në fund takimi mbyllet me fitore 2:0 të Shkëndijës, që ka epërsi të kënaqshme para takimit të kthimit në Shkup më 21 tetor.
SHKËNDIJA-METALURGU 2:0 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Kërçovë
Shikues: 1 000
Arbitër: Marjan Markoski
Arbitra anësorë: Laze Cakareksi dhe Aco Macevski
Delegat: Zllatko Talevski
Golashënues: Demiri 18’, Kirovski 23’ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Mitrov, Stojanovski (Metalurgu)