Shkëndija triumfon në fushë të Vardarit. Maksimov shënon super gol, Aganspahiç vulos fitoren, ndërsa super performansë prodhoi edhe portieri Taleski.
VARDARI – SHKËNDIJA 0:2 (0:0)
Stadiumi në Maxhari të Shkupit
Golashënues: Maksimov 64’ dhe Aganspahiç 90’+6 (Shkëndija)
Arbitër: Stojançe Trpçevski (Kavadar)
VARDARI: Gaçevski, Glishiq, Papuli (Omeragiq 70’), Micevski (C), Cvetkov (Velkovski 70’), Mishovski, Milosavleviç, Duranski (Pedrinjo 84’), Cvetanoski (Trajkoski 70’), Brdarovski, Lemos.
Trajner: Radenko Bojoviç
SHKËNDIJA: Taleski, Limani, Cake, Çinari (Nuhija 90’+2), Totre (c). Krasniqi (Velija 82’), Maksimov, Aganspahiç, Dita (Shala 59’), Qaka, Adili.
Trajner: Ardian Nuhiu
Shkëndija del me te pikë nga transferta me Vardarin, pasi me golat e Maksimovit dhe Aganspahiç fitojmë 2:0 dhe marrim triumfin e 7-të sezonal.Me 23 pikë si lider shkojmë në pauzën dy javore shkaku i ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese. Pas triumfit të mesjavës 1:0 ndaj Strugës, kuqezinjtë ishin të bindur për të marrë një tjetër triumf dhe në Maxhari të Shkupit me shumë maturi menaxhuan epilogun e dëshiruar.
Ndeshja në Shkupi nisi me kanosje të vendasve pas një dalje të Taleskit me kokë, Duranski nuk gjen kuadratin, derisa në anën tjetër goditja e Aganaspahiçit shkoi skaj shtyllës. Edhe në minutën e 7-të Shkëndija u kanos, por Gaçevski kontrolloi sigurtë topin, derisa në minutën e 11-të tentimi i Çinarit shkoi skaj portës. Pas emocioneve fillestare, pasoi lojë e qetë, kryesisht Shkëndija kontrollonte lojën, por pa ndonjë rast konkret. Nxitjet do të ktheheshin në 5 minutat e fundit të pjesës së parë kur fillimisht Gaçevski në dy kohë kontrollon goditjen e Krasniqit nga gjuajtja e lirë, derisa në minutat shtesë të fraksionit të parë aksion të bukur prodhojnë Çinari e Aganspahiç, mirëpo e djathta e Totres ishte shumë qendrore dhe portieri vendas arriti të kontrollojë topin.
Edhe pjesën e dytë kuqezinjtë tanë që luanin me fanella të bardha ishin më konkret. Pas një ore lojë Krasniqi tenton portën, pa gjetur kuadratin, derisa pak më vonë vendasit pastrojnë para boshnjakut Aganspahiç, pas depërtimit të Shalës. Baraspesha do të thyhej në minutën e 64 kur një aksion i tanëve gjen të gatshëm Maksimovin, që prodhon një kryevepër pasi e djathta e fortë e tij përplaset në shtyllë dhe përfundon në rrjetën e vendasve. 1:0 për Shkëndijën dhe goditje për vendasit e publikun që tentonin të shmangin humbjen me gjithë forcat. Realisht Vardari arriti të kanoset disa, mirëpo në super formë do të shfaqej portieri Taleski që me disa intervenime bravuroze nuk lejoi të preket rrjeta jonë. Në anën tjetër Çinari në dy raste nuk arriti të parabolonte Gaçevskin, e djathta e Cakes u devijua pak mbi portë, derisa Taleski vazhdonte të me intervenime fantastike të shtonte kontributin e tij në këtë fitore. Në minutën e 6-të të kohës shtesë në zonë depërton Aganspahiç që me goditje të matur vendos shifrat finale Vardari 0, Shkëndija 2.
Ndeshja e radhës
Pason pauza ndërkombëtare shkaku i ekipeve përfaqësuese, derisa Shkëndija në aksion kthehet më 22 tetor me ndeshjen si vendas ndaj ekipit Brera Strumica.
Shkëndija-Brera 22.10.2023