Aganspahiç me gol 8 minuta para fundit na jep barazim 1:1 në transfertën me Vardarin e luajtur në një terren shumë të keq në Maxhari të Shkupit.
VARDARI – SHKËNDIJA 1:1 (1:0)
Stadiumi i Maxharit në Shkup
Golashënues: Lemos 18’ (Vardari), ndërsa Aganspahiç 82’ (Shkëndija)
Arbitër: Dimitar Pileshkov (Shtip)
Kartona të kuq: Omeragiq (Vardari) dhe Meliqi (Shkëndija)
VARDARI: Gaçevski (c), Brdarovski, Djuriç (Briski 90’+4), Duranski (Doshev 87’), Glishiq, Lemos (Velkovski 87’), Mishkovski, Nikolovski, Omeragiq, Ristovski, Altiparmakovski (Suso 73’ (Susnjara 90’+4)).
Trajner: Gorazd Mihajlov
SHKËNDIJA: Taleski, Velija, Cake, Meliqi, Webster, Qaka (R. Ramadani 80’), Totre (c) (Ademi 73’), Krasniqi (Krstevski 90’+6) Çinari, Shala, Aganspahiç.
Trajner: Jeton Beqiri
Barazojmë 1:1 me Vardarin në Shkup në duelin e xhiros së 24-t në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Në një terren tepër të keq për lojë nuk jemi gjetur si duhet, derisa vendasit destruktiv e defanziv ishin në avantazh të paraqiten në kushte ku Shkëndija kërkonte të ndërtojë e fitojë.
Pa Bruno Ditën e pezulluar me 5 kartona të verdhë në formacionin startues u kthye i riu Anes Meliqi që sërish u dallua me super paraqitje deri në momentin kur u përjashtua me karton të kuq (minuta e 58-të).
Në një terren të keq vendasit u kanosën të parët kur Taleski largoi në këndore, derisa në anën tjetër e djathta e Krasniqit ishte shumë qëndrore për Gaçevskin. Në minutën e 18-të pamë veten në negativë kur vendasit avansojnë me golin e Lemosit pasi mbrojtja jonë nuk u vendos mirë pas një harkimi nga këndi. Pak më vonë Krasniqi tentoi bukur, mirëpo pa gjetur kuadratin.
Pjesa e parë u mbyll me epërsi të vendasve, derisa fraksioni i dytë nisi me mundësinë e Shalës goditja e të cilit shkoi mbi portë. Më vonë erdhi deri te një rëmujë kur Omeragiq sulmoi pa top Meliqin, derisa çuditërisht arbitri Pileshkov largoi dy futbollistë me kartona të kuq (Omeragiq dhe Meliqi). Shkëndija provonte, por asesi të vinte në shans goli, derisa në anën tjetër vendasit patën dy mundësi shumë të mirë për 2:0, kur fillimisht Cake shpëtoi gol të sigurtë nga vija fatale, derisa më vonë Taleski solli intervenim të mirë. Hyrja në lojë e Fiton Ademit na bëri më të rrezikshëm, dhe pikërisht sulmuesi i ri do të shfaqej vendimtar në minutën e 82-të kur asiston saktë për Aganspahiçin, i cili barazoi në 1:1. Deri në fund provuam përmbysjen, mirëpo nuk ishte e shkruar të shënojmë dhe ndeshja u mbyll me ndarje të pikëve.
Ndeshja e radhës
Pason pauza dy javore shkaku i ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese, derisa si vendas duelin e ardhshmëm e kemi përballë Bregallnicës së Shtipit.
Shkëndija-Bregallnica 31.03.2024