Çinari me dy super gola dhe një realizim i Ditës na japin fitore 3:0 në spektaklin përballë Vardarit në Tetovë.
SHKËNDIJA – VARDARI 3:0 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Çinari 34’ dhe 40’ dhe Dita 54’ (Shkëndija)
Arbitër: Stojançe Trpçevski (Kavadar)
Karton i kuq: Brdarevski 76’ (Vardari)
SHKËNDIJA: Taleski, Kocev (Velija 14’), Dita, Cake (Meliqi 80’), Webster, Qaka, Totre (c), Krasniqi (Jakupi 80’), Çinari (Merxhani 88’), Shala, Ademi (Krstevski 46’).
Trajner: Jeton Beqiri
VARDARI: Gaçevski, Brishki, Glishiq, Ristovski, Omeragiq (Doshev 64’), Altiparmakovski (Gjuriq 46’), Mishkovski, Nikolovski (Suso 64’), Duranski (Mujezinoviq 46’), Brdarovski, Lemos (Sushnjara 73’).
Trajner: Gorazd Mihajlov
Spektakël kuqezi në terren e tribuna për fitore bindëse 3:0 të Shkëndijës ndaj Vardarit. Erald Çinari me dy super gola dhe një asist në realizimin e Bruno Dita-s ishte protagonisti kryesor i ndeshjes, derisa 3 golat bënë të pavlefshme penaltinë e humbur nga kapiteni Totre. “Ballistët” spektakolar në “Marshin Beqiri”, derisa vlerësim maksimal për numrin e madh të spektatorëve të pranishëm në stadium.
Ndeshja nisi me kuqezinjtë në sulm dhe pas disa aksioneve fituam penalti të cilën nuk e përktheu në gol Totre, goditja e të cilit u ndal në traversë. Paraprakisht humbëm mbrojtësin e djathtë Kocev, që u dëmtua dhe i la vendin Velijas. Këtu rezikuam shumë, duke i lënë Vardarit të krijonte dy mundësi serioze, por Taleski fillimisht ishte në nivel, derisa më vonë gjuajta e Omeragiqit shkoi skaj portës. Shkëndija shpejt reagoi, duke kthyer dominimin dhe shpërblimi nuk do të vononte. Minuta e 34 sheh kuqezinjtë në super kundërsulm, Çinari bukur na nxjer përpara dhe hap lojën te Krasniqi, derisa me shpejtësi arrin para portës ku asistin e kthen në gol për delirium në tribuna dhe epërsi 1:0. Tashmë luanim akoma më lirë dhe 6-të minuta më vonë (40’) Erald Çinari prodhon një super goditje që nuk i jep asnjë mundësi portierit Gaçevski dhe Shkëndija tashmë ka rezultat 2:0.
Pjesa e dytë vazhdoi me ritmin e Shkëndijës që nuk do të vononte golin e tretë. Çinari kishte kryer misionin e golave dhe tash kaloi në detyrën e asistentit. Harkim milimetrik në zonë ku më lartë kërcen Bruno Dita e festa sërish do të shpëthente për golin e tretë të Shkëndijës. Dy trajnerët me disa zëvendësime provuan të ndryshojnë ritmin, tanët disa herë i’u ofruan golit të katërt, derisa në anën tjetër kur Vardari provoi të shënojë, me super intervenime në defanzivë shfaqej Ronaldo Webster që sot luajti si mbrojtës i krahut të majtë.
Fitorja bindëse la të kënaqur gjithë të pranishmit në këtë pasdite fantastike, derisa lojtarët e “Ballistët” pas ndeshjes me meritë festuan së bashkë performansën e shkëlqyeshme.
Ndeshja e radhës
Mesjava sjell ndeshjet e xhiros së 22-të dhe Shkëndija do të luajë si mysafire me AP Brera në Strumicë.
AP Brera- Shkëndija 06.03.2024