-
A 0:2
- Attendance1 000
- ||, 2018/19, Kupa e Maqedonisë
- 2018-09-12 15:30
- Gjevgjeli
Kuqezinjtë kalojnë në 1/8 e finales së Kupës së Maqedonisë pasi mundën 2:0 Kozhufin në Gjevgjeli në raundin e parë të garës më masovike në vend. Dy gola të Ibraimit dhe Imerit në pjesën e parë mjaftuan për kalim rutinorë të pengesës së parë në kuadër të Kupës, ndërsa fraksioni i dytë kaloi me menaxhim të lojës nga ana e futbollistëve të Shkëndijës që nuk shpenzuan shumë energji. Kuqezinjtë që në këtë ndeshje luanin me fanella të bardha kaluan në epërsi pas vetëm 13-të minutave lojë kur Ibraimi shënoi për 1:0. Rezultati final 2:0 u vendos në minutën e 28-të kur i riu Omar Imeri lëviz bukur në zonë para se me një të majtë të fortë dhe precize të dërgojë topin në këndin e epërm të portës vendase për gol të parë zyrtar në fanellën e Shkëndijës. Në vazhdim kuqezinjtë menaxhuan lojën dhe pa shumë mund konfirmuan kualikimin në 1/8 e finales së Kupës, ndërsa të enjten do të mësojnë emrin e rivalit për fazën e ardhshme.
PJESA E PARË
Fillimi i ndeshjes solli matje të forcave me vendasit shumë entuziastë si në terren, ashtu edhe në tribuna pasi duke garuar në kategorinë e dytë kishin rast të rrallë të presin kampionin e dyfishtë të vendit. Kanosjen e parë e solli Ibraimi në minutën e shtatë, mirëpo tentimi i tij nga gjuajtja e lirë shkoi jashta kuadrantit. Pak më vonë tentimi i Juniorit me kokë u bllokua në rivënie nga këndi. E treta rezultoi e vërteta pasi Shkëndija gjeti epërsinë në minutën e 13-të kur goditja e Ibraimit e devijuar nga një mbrojtës kundërshtar dhe përfundon në rrjetë për avantazh 1:0. Vendasit u përgjigjën me anë të Skenderit në minutën e 20-të por fati ishte me ne kur topi shkoi skaj shtyllës. Në anën tjetër pas një kundërsulmi të Ibraimit shfaqet mundësi për Imerin me këtë të fundit që nuk gjen portën. Sulmuesi i ri nuk gabon dy herë resht pasi në minutën e 28-të merr asist të mirë nga Junior dhe pasi lirohet bukur nga kundërshtari me një të majtë precize gjen golin e parë në fanellën e Shkëndijës për epërsi 2:0.
LEXO
Emini kishte mundësi të sillte golin e tretë pas një aksioni premtues, por goditi drejtë në portierin vendas, Nikov. Në anën tjetër në Mevlan Adili reagon bukur para portës duke shpëtuar gol të sigurtë, ndërsa në vazhdim pas harkimit nga këndi Zahov kontrolloi sigurtë tentimin e Karakamishevit. Në minutën e 38-të tjetër aksion i Shkëndijës, Junior shërben me top në zonë Alimin, mirëpo shpëton me pritje vendimtare Nikov.
PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë solli dhjetë minuta të qetë në të cilat Shkëndija kontrollonte topin por pa ndonjë mundësi për të shënuar. Qetësinë e prishi Ristovski në minutën e 56-të kur tentoi të parabolojë me kokë, mirëpo Zahov shpëton me pritje të bukur. Portieri jonë kishte një tjetër intervenim të sigurtë pas tentimit të Shishkovit nga distanca. Shkëndija luante dhe kontrollonte posedimin e topit, mirëpo në pjesën e dytë tre goditjet e para në kuadrant të njërës portë i kishin vendasit. Çurlinov në minutën e 78-të provoi me një të djathtë të fortë që nuk shqetëson Zahovin në portë. Pesë minuta para fundit të kohës së rregullt Çurlinov kanoset me goditje të fortë, por përgjigja gjithmonë ishte e njejtë, Zahov pret sigurtë në portë. Deri në fund nuk pati ndryshim, kështu që Shkëndija kalon më tej dhe të enjten pret të mësojë emrin e kundërshtarit për fazën e 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë.
KOZHUF – SHKËNDIJA 0:2 (0:2)
Stadiumi i qytetit në Gjevgjeli
Shikues: 1 000
Arbitër: Stojançe Trpçevski
Golashënues: Ibraimi 13′ dhe Imeri 28′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Shishkov dhe Popov (Kozhufi), ndërsa Bejtullai dhe Bojku (Shkëndija)
KOZHUFI: Nikov, Popov, Karakamishev, Skenderi (Tanov 60′), Ristovski, Ivanovski, Petrov, Peev (Çamxhiq 55′), Zajkov (Zejrinov 71′), Çurlinov, Shishkov.
Trajner: Vase Beqarov
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi (Totre 65′), Musliu, Ibraimi, Junior (Selmani 77′), Bojku, Emini (Nafiu 37′), Imeri, Adili.
Trajner: Qatip Osmani