Një gol i Valmir Nafiut mjafton për fitoren e 14-të sezonale të Shkëndijës, ndërsa triumfi ndaj Pelisterit na mban në krye të tabelës 7 pikë larg ndjekësve.
• Shkëndija fiton 1:0 duelin e xhiros së 23-të me Pelisterin
• Valmir Nafiu dy minuta para fundit shënoi golin e 3 pikëve
• Në fund të ndeshjes me super pritje shpëton gol Dino Zahov
• Kuqezinjtë xhiron e ardhshme janë mysafirë të Vardarit
Pas dy ndeshjeve me barazime pa gola, Shkëndija rikthehet te fitorja dhe mund 1:0 Pelisterin në kuadër të xhiros së 23-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë marrin tre pikët me një gol të vetëm të Nafiut dy minuta para fundit, ndërsa me fitoren e 14-të sezonale vazhdojmë marshin drejt titullit të katërt kampion duke ruajtur distancën prej 7-të pikëve me Shkupin e vendit të dytë.
Trajneri Gjoka ndeshjen e nisi me disa ndryshime në formacion, kur Qaka dhe Da Silva për herë të parë ishin titullarë, ndërsa në pankinë nisi edhe Dita që la hapsirë për të riun Ramadani në pjesën e parë. Pelisteri që është ekipi i vetëm që na ka mundur në këtë kampanjë dhe që gëzon formë shumë të mirë momentale, nisi ndeshjen shumë i motivuar duke sjellë disa kërcnime që megjithatë nuk është se shqetësuan seriozisht Zahovin, me theks që goditja e Koçoskit në minutën e 24-t u ndal në kornizën e portës. Ndërkohë kuqezinjtë sulmonin dhe kërkonin mundësinë e golit, por mbrojtja kundërshtare ishte shumë e karikuar dhe kishte mbyllur mirë gjitha shtigjet drejt portës së Trajçevskit, kështu që kanosjet e Ibraimit, Da Silva-s dhe Dorievit nuk mjaftuan për të sjellë ndryshimin.
Në fraksionin e dytë shtuam presionin dhe në minutat e para u kanosëm me Bejtullain dhe Qakën, kur i pari me kokë çoi topin mbi portë, ndërsa e djathta e Qakës kontrollohet nga portieri mysafir. Trajneri Gjoka përveç Ditës, në pjesën e dytë inkuadroi në lojë edhe Nafiun dhe Hebajn, duke sulmuar fitoren me gjithë arsenalin, ndërsa presioni i vazhdueshëm do të sillte efekt dy minuta para fundit kur një top i harkuar në zonë kontrollohet mirë nga Valmir Nafiu, i cili më pas me një të djathtë të matur vendos topin në rrjetë për epërsi 1:0 dhe në fund tre pikë të rëndësishme në luftën për titullin e kampionit. Paralel me realizimin e Nafiut, vlerën e tre pikëve e mori edhe një intervenim i Dino Zahovit, që bën mrekullinë kur ndal në cepin e portës goditjen me kokë të Darko Ilievskit, duke ruajtur epërsinë dhe fitoren.
FT ⏱️ Me golin e Nafiut në minutat e fundit të ndeshjes regjistrojmë fitoren e 14-të sezonale 💪
#ShkëndijaPelister
Posted by KF Shkëndija on Sunday, March 14, 2021
SHKËNDIJA – PELISTERI 1:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Aleksandar Grujoski (Kërçovë)
Golashënues: Nafiu 88’ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Neziri, Bejtullai (c), Paviç, Alimi, Doriev (Zejnullai 89’), Ramadani (Dita 46’), Qaka (Hebaj 64’), Ibraimi (Elezi 89’), Da Silva (Nafiu 64’).
Trajner: Ernest Gjoka
PELISTERI: Trajçevski, B. Ilievski, Spirkoski (Nikollovski 77’), Boshkovski, Goudiabi, Koçoski, Pejakoviq (Tanushev 88’), Dragarski (c), Razmoski (Amponsah 62’), D. Ilievski, Neto.
Trajner: Dimitar Kapinkovski