Kuqezinjtë sjellin tjetër goleadë në Shkup, duke mundur Makedonija Gj.P. në terren te vet me rezultatin 4:3.
• Shkëndija merr fitoren e 22-të sezonale dhe të 13-ën në 16 ndeshje si mysafire
• Dy herë Ibraimi, Elezi dhe Alimi realizuan golat për fitoren 4:3 të kuqezinjëve
• Sezonin e mbyllim me Shkupin kur pritet të pranojmë trofeun për titullin kampion
Kampioni vazhdon me stil dhe në një goleadë të vërtetë me 7 gola, pasditën e sotme mundim Makedonija Gjorçe Petrovin me rezultatin 4:3. Ndeshjen e nisëm fuqishëm dhe me dy golat e Ibraimit krijuam epërsi 2:0, por vendasit u kthyen dhe pauza na gjeti në simetri rezultati 2:2. Elezi goditi vendasit në start të të dytës për 2:3, ndërsa kur Bozhinovski barazoi gjashtë minuta para fundit, vendasit u hodhën në kërkim të fitores dhe gjetën humbjen kur Alimi në kohën shtesë solli të katërtin për tanët.
Pa Bejtullain e Ditën të lënduar, Shkëndija nisi furishëm duke gjetur epërsinë pas vetëm tre minutave lojë. Paviç drejton topin para zonës ku Liçina nuk largon si duhet, ndërsa e majta e Ibraimit gjen cepin e portës për epërsi të Shkëndijës. Në minutën e 16-të rezultati shkoi në 0:2 kur Zahov degazhon drejt Da Silvas, i cili prodhon një mjeshtri në pranim e më pas me asist perfekt hedh nga loja dy mbrojtësit vendas, kurse Ibraimi tregohet ‘vrasës’ i vërtetë dhe pasi kalon portierin Stevkovski me golin e 23-të personal në këtë sezon dyfishon rezultatin e sfidës. Shkëndija humbi tjera mundësi për 0:3 dhe ndërkohë krejt pa pritur vendasit kthehen në lojë kur Vosha godet fortë, ndërsa topi i devijuar nga Zahov përcillet në rrjetë nga Fazli dhe rezultati pas 33 minutave lojë bëhet 1:2. Tre minuta më vonë arbitri Stojçevski jep penalti të dyshimtë për kundërshtarin, pasi një dueli minimal të Krivakut me Adem-in vendas, ndërsa Robson shënon për 2:2 nga pika e bardhë.
Shkëndija luante pa ndonjë ngarkesë dhe duke respektuar kampionatin vijoi të kërkojë në të mirën, duke gjetur epërsinë 2:3 pas 6-të minutave në të dytën kur 16-të vjeçari Elezi sjell super kundërsulm dhe me stil të lartë gjen golin e 6-të sezonal. Ibraimi pak më vonë u ndal në tentimin për të gjetur hat-trick, ndërsa në anën tjetër super intervenim i Zahovit që shmang autogol të Nezirit. Fernando shkoi pranë barazimit kur e majta e tij nga gjuajtja e lirë preki traun e portës, ndërsa në anën tjetër Stevkovski kontrolloi të djathtën e Ramadanit. Vendasit u këndellën gjashtë minuta para fundit kur Bozhinovski në asist nga Fazli shënon për 3:3. Tre minuta më vonë shpëtuam pas një rëmuje para portës, ndërsa në minutën e parë të kohës shtesë kur vendasit kërkonin me çdo kusht fitoren, Shkëndija me 10-të lojtarë pas përjashtimit të Dorievit me të kuq, sjell kundërsulm me Alimin, i cili shënon gol të bukur për fitore 4:3.
😏 #MakedonijagpShkëndija
Posted by KF Shkëndija on Sunday, May 9, 2021
MAKEDONIJA Gj.P. – SHKËNDIJA 3:4 (2:2)
Stadiumi në lagjen Gjorçe Petrov në Shkup
Arbitër: Igor Stojçevski (Shkup)
Golashënues: Fazli 33’, Robson 37’ pen. dhe Bozhinovski 84’ (Makedonija Gj.P.), ndërsa Ibraimi 3’ dhe 16’, Elezi 51’ dhe Alimi 90’+1 (Shkëndija)
MAKEDONIJA GJ.P.: Stevkovski, Kitanovski (Aleksovski 86’), Liçina, Bozhinovski (c), Adem, Çarleston, Vosha, Fernando, Fazli, Ajrullahu (Petrov 74’), Da Silva.
Trajneri: Aleksandar Tanevski
SHKËNDIJA: Zahov, Murati (c), Krivak, Neziri, Paviç (Merxhani 89’), Alimi, Zejnullai (Nafiu 64’), Qaka, Da Silva (Doriev 64’), Elezi (Hebaj 64’), Ibraimi (Ramadani 77’).
Trajner: Ernest Gjoka