Kuqezinjtë sot humbën nga çekët e Slovan Liberec në ndeshjen e katërt dhe të fundit kontrolluese në kuadër të stërvitjeve dimërore në Antalia. Ishte ndeshje e hapur nga të dyja skuadrat, e përkundër faktit që lojtarët kuqezi patën disa raste për të shënuar, ishin çekët ata të cilët u treguan më konkret përpara portës së Zahovit.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me Nezirin, Krivakun dhe Bejtullain si qendërmbrojtës, ndërsa Cake pak më i avancuar në krahun e djathtë. Si zakonisht, Guri në pozitën e sulmuesit.
XI: Zahov, Bejtullai (c)-Krivak-Neziri, Cake-Dita-Jessie Djou-Merxhani, Shala-Nafiu, Guri.
Përmbledhje:
Minutat e para të ndeshjes u karakterizuan me lojë të hapur nga të dyja palët.
Ishte Shkëndija ajo që kërcënoi e para. Merxhani shërbehet me një top në krahun e majtë, pason deri te Guri që menjëherë e kthen tek Merxhani që tani më gjendet në zonë. Kur pritej të realizojë gol, Merxhani u ndal në mënyrë të palejuar nga mbrojtja kundërshtare, ndërsa arbitri në vend se të tregojë në pikën e bardhë referoi vetëm goditje nga këndi (17’).
Merxhani i lënduar u detyrua të lëshojë lojën, ndërsa vendin e tij e zuri Markoski.
Avancon Slovan Liberec me rezultatin 1:0. Një top i humbur I kuqezinjve në mesfushën tonë u shfrytëzua nga çekët që organizuan një sulm, ndërsa goditja e Stoch përfundoi në rrjetën e Zahovit (35’).
HT: Slovan Liberec 1:0 Shkëndija
Me fillimin e pjesës së dytë nga fusha u larguan Jessie Djou dhe Nafiu, ndërsa në vend të tyre në lojë u inkuadruan Bilalli dhe Hasani.
Aksion i shpejtë i kuqezinjve nga krahu i majtë, Shala pason deri te Guri që me lëvizje të bukur e gjen Markoskin brenda zonës. Ky i fundit avancoi përpara në drejtim të portës por goditja e tij nuk e gjen kuadratin (53’).
Në minutën e 59-të nga loja largohen Cake dhe Guri, ndërsa në lojë u inkuadruan Timovski dhe Doriev. Ndërkaq në vazhdim të ndeshjes u larguan edhe Dita e Markoski, ndërsa në lojë u futën Mensalao e R. Ramadani.
Slovan Liberec dyfishon epërsinë. Pas një aksioni nga krahu i djathtë, Rabusic ishte ai që realizoi golin e dytë për çekët (74’).
Vetëm pas dy minutave çekët kërcënojnë përsëri nga ana e djathtë dhe realizojnë golin e tyre të tretë (76’).
Doriev gjendet brenda zonës kundërshtare, krijon hapësirë por ndalet në mënyrë të palejuar dhe arbitri këtë radhë pa hamendje tregon në pikën e bardhë. Hasani realizon penaltinë në gol (84’).
Tollovi përpara portës së Slovan Liberec, Mensalao gjendet në pozitë ideale për të shënuar por goditja e tij shkon mbi portë (87’).
FT: Slovan Liberec 3:1 Shkëndija
Ndeshja u zhvillua në Antalia të Turqisë.
Golashënues për Shkëndijën: Hasani 84’.
Golashënues për Slovan Liberec: Stoch 35’, Rabusic 74’ Gembicky 76’,
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai (c)-Krivak-Neziri, Cake-Dita-Jessie Djou-Merxhani, Shala-Nafiu, Guri.
Luajtën edhe: Hasani, R. Ramadani, Bilalli, Mensalao, Timovski, Markoski, Doriev.
Trajner: Bruno Akrapoviq.