-
A 1:0
- |, ||, |||, Antalya TC 2023
- 2023-02-06 13:00
- Antalia
Shkëndija është mundur pa meritë 1:0 nga Dinamo Kievi në një takim të dominuar nga kuqezinjtë. Loja dhe shanset folën për tanët, mirëpo mungoi goli derisa ukrainasit realizuan pas një gabimi në defanzivën tonë.
Kuqezinjtë lënë pas një ndeshje kontrolluese shumë pozitive. Në testin më të fortë të caktuar për këtë fazë përgatitore, Shkëndija u tregua në nivel të kënaqshëm përballë gjigandit ukrainas Dinamo Kiev. Loja dhe shanset ishin në anën e Shkëndijës, që mes tjerash kishte edhe një shtyllë të goditur me Bejtullaini, derisa Dinamo golin e vetëm e shënoi në fund të pjesës së parë pas një gabimi në repartin tonë defanziv.
Kanosjen e parë e sollën ukrainasit pas dy minutave lojë, mirëpo Zahov tregohet i koncentruar kur neutralizon goditjen e kapitenit Garmash. Vetëm dy minuta më vonë në anën tjetër sollën kërcënimin e parë me anë të Reshat Ramadanit nga distanca, mirëpo pa shqetësuar seriozisht portierin Neshcheret. Në vazhdim Shkëndija mori kontrollën e lojës dhe kuqezinjtë ishin ekipi që dominonin e krijonin mundësi para portës së Dinamos. Në minutën e 12-të Çinari provoi me një të majtë jo precize, ndërsa në minutën e 21-të portieri kundërshtarë Neshcheret grushtoi topin para sulmuesve tanë pas harkimit të mirë të Hasanit nga gjuajtja e lirë. Katër minuta më vonë super aksion i Shkëndijës me Maksimovin dhe Çinarin, ky i fundit harkon saktë para portës ku tentimi me kokë i kapitenit Hasani shkon skaj shtyllës. Kuqezinjtë nuk ndaleshin me lojën aktive dhe fati ishte aleat i ukrainasve kur kishin kaluar gjysmë ore lojë dhe tanët humbën mundësi të shkëlqyeshme për të avansuar me dy tentativa në harkun kohor prej vetëm disa sekondave. Harkimi i Çinarit nga këndi gjeti Bejtullain në zonë, mirëpo pas goditjes së tij me kokë topi ndalet në shtyllë, ndërsa në vazhdim Reshat Ramadani godet lartë mbi portë. Pas kësaj mundësie Dinamo vendosi baraspeshë në terren edhe pse Shkëndija vazhdonte të menaxhojë më shumë kontrollin e topit, ndërsa pak para pauzës një top i nxjerur gabimisht nga zona jonë e rrezikshme nga portieri Zahov, shfrytëzohet nga Dinamo që me anë të Lonwijk avansojnë 1:0.
Pjesa e dytë nisi me iniciativë të lehtë të gjigandit ukrainas, mirëpo Shkëndija mbrohej mirë dhe ndërkohë kur kishin kaluar 10-të minuta lojë kuqezinjtë lëshuan super mundësi për të barazuar rezultatin. Bashkim Velija u shërbye shkëlqyeshëm me top nga Hasani pas një kombinimi të dyfishtë, mirëpo përfundimi i mbrojtësit nuk ishte në lartësinë e duhur dhe portieri kundërshtar me këmbë bllokoi tentimin e tij. Pak më vonë Milev provoi të djathtën e tij, por pa mundur të gjejë kuadratin. Shkëndija vazhdonte të dukej shumë mirë e vendosur në lojë dhe qasja e tillë vazhdonte të sillte mundësi për tanët, derisa në minutën e 63-të shkuam fare pranë barazimit kur e majta e Hasanit devijohet në këndore. Në minutën e 65-të trajneri Osmani kreu 5 zëvendësime kur në lojë hynë Taleski, Murati, Qaka, Mujezinoviç dhe Florent Ramadani, më vonë u inkuadruan edhe Cake e Cuculi, si dhe 5-së minutat e fundit edhe i riu Jakupi. Shkëndija megjithë ndryshimet në formacion vazhdonte të insistojë për të barazuar dhe gjashtë minuta para fundit Hasani provoi nga gjuajtja e lirë, por i sigurtë në portë u shfaq portieri i Dinamos. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe ndeshja u mbyll me rezultat 1:0 në favor të Dinamo Kievit, me kuqezinjtë që zhvilluan një paraqitje shumë pozitive dhe që jep sinjale se skuadra po gjen formën e duhur para fillimit të gjysmësezonit pranveror.
SHKËNDIJA-DINAMO KYIV 0:1 (0:1)
Stadiumi “Mardan Palace Complex” në Antalia të Turqisë
Golashënues: Lonwijk 45’ (Dinamo Kyiv)
SHKËNDIJA: Zahov, Maksimov, Bejtullai, Dita, Velija, R. Ramadani, Totre, Hasani (c), Shala, Çinari, Milev.
Luajtën edhe: Taleski, Murati, Qaka, Mujezinoviç, F. Ramadani, Cake, Cuculi, Jakupi.
Trajner: Qatip Osmani