Mundemi me përmbysje nga Struga. Krasniqi na solli epërsi nga penaltia, pasi më herët Taleski priti penalti, mirëpo me një lojtar më pak pas të kuqit të Çinarit, Kompaore dhe Radeski mbajnë tre pikët për vendasit.
STRUGA – SHKËNDIJA 2:1 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Strugë
Golashënues: Kompaore 74’ dhe Radeski 75’ (Struga), ndërsa Krasniqi 54’ pen. (Shkëndija)
Karton i kuq: Çinari 62’ (Shkëndija)
Arbitër: Krumislav Gjorgiev (Shtip)
STRUGA: Kitanovski, Mazrekaj (F. Tairi 85’), Neziri, Ibraimi (Jaroviq 89’), Radeski (H. Tairi 85’), Krivanjeva, Kasami (c), Maliqi (Kamberi 90’), Georgievski (Kompaore 46’), Hogan, Zguro.
Trajner: Shpëtim Duro
SHKËNDIJA: Taleski, Limani, Cake, Çinari, Totre (c) (Qaka 46’), Krasniqi, Maksimov (Velija 46’), Shala, Aganspahiç (Elezi 46’), Dita, Adili.
Trajner: Ardian Nuhiu
Shkëndija pëson disfatën e dytë në kampionat, pasi jemi mundur 2:1 nga Struga në derbin e xhiros së 13-të në LPFMV. Duelin buzë liqenit e nisëm keq kur dueli Limani-Ibraimi sjell penalti për vendasit, mirëpo me super pritje na mban në lojë portieri Taleski që ndal penaltinë e Radeskit. U përgjigjëm në minutën e 32-të kur e majta e Çinarit u ndal në shtyllën vendase. Pak para pauzës shans i dyfishtë për vendasit kur Taleski ndal tentimin nga gjuajtja e lirë të Ibraimit, ndërsa në vazhdim Adili pastron nga vija fatale goditjen e Zguros.
Pjesa e dytë nisi ashtu si u mbyll e para, kur Adili nga vija fatale pastron tentimin e Zguros. Paraprakisht në pauzën mes dy pjesëve trajneri Nuhiu la në zhveshtore Totren, Aganspahiçin dhe Maksimovin, derisa në lojë hynë Qaka, Elezi dhe Velija. Pikërisht Elezi në minutën e 53-të pasoi në zonë për Çinarin, ndërsa me faul ndërhyn Kasami. Endrit Krasniqi konverton në gol penaltinë dhe kuqezinjtë avansojnë 1:0. U duk sikur vendosëm gjërat në binarë, por gjërat do të shkonin mbrapsht kur fillimisht në minutën e 62-të mbesim me 10-të lojtarë pas kartonit të kuq të Çinarit (dy kartona të verdhë), derisa më pas Kompaore (74’) dhe Radeski (75’) brenda vetëm dy minutave përmbysin gjithçka për 2:1. Paraprakisht në 1:0 me një lojtarë më pak Elezi ishte në mundësi për 2:0, mirëpo humbi duelin me Nezirin. Deri në fund Ibraimi pati një tentim nga gjuajtja e lirë, që pritet nga Taleski, ndërsa më vonë tentimi i Ditës nuk kishte potencën e duhur për të mposhtur Kitanovskin.
Ndeshja e radhës
Të shtunën në Tetovë presim Tikveshin në ndeshjen e xhiros së 14-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Shkëndija-Tikveshin 11.11.2023