Mundemi në Kratovë me rezultat 2:1 nga Sileksi. Barazuam me Caken dhe besuam në përmbysje, mirëpo në minutat shtesë pësuam golin e dytë.
SILEKSI-SHKËNDIJA 2:1 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Kratovë
Golashënues: Milosavleviç 58’ dhe Llazareviç 90’+2 (Sileksi), ndërsa Cake 88’ (Shkëndija)
Arbitër: Aleksandar Stavrev (Shkup)
SILEKSI: Bozhinovski, Zajiç, Millosavleviç (Lamallari 71’), Ristovski (Manasievski 84’), Janevski (Ignatov 78’), Angjeleski, Gjorgjievski (Kalanoski 84’), Eftimov (Poposki 78’), Llazareviç, Nikoliç, Shubert.
Trajner: Gorazd Mihajllov
SHKËNDIJA: Taleski, Limani (Rexhepi 75’), Cake, Çinari, Totre (c) (Dita 76’), Elezi (Aganspahiç 82’), Krasniqi, Maksimov, Velija, Qaka, Adili.
Trajner: Ardian Nuhiu
Xhiroja e 7-të në LPFMV ka sjellë disfatën e parë në sezonin e ri për Shkëndijën, që mundet 2:1 nga Sileksi në Kratovë. Kuqezinjtë provuan të vendosin autoritet që në fillim të sfidës, mirëpo vendasit kishin dy mundësi për të avansuar kur vetëm brenda pak sekondave traversa dy herë ishte aelate e portierit Taleski. Ky i fundit do të shfaqej protagonist në minutën e 21-të kur me dy super pritje ndali penaltinë e Ristovskit dhe tentimin e tij të dytë pas topit të kthyer. Paraprakisht arbitri Stavrev tregoi penalti skajshmërisht të dyshimtë për vendasit, derisa kjo sikur nuk mjaftoi dhe disa sekonda pasi Taleski ndali penaltinë ai do të jepte goditje indirekte për vendasit shkaku i protestave të Limanit. Këto skena provokuan jo pak nervozë te kuqezinjtë që deri në pauzë shansin më të mirë e kishim me Krasniqin, por pa mundur të shënojmë.
Pjesa e dytë solli imazhe të njejta, me Shkëndijën që mori posedimin e topit dhe më shumë kërkonte të sulmojë. Në momentin tonë më të mirë do të ndëshkoheshim kur një kundërsulm i vendasve sheh Milosavleviçin të godasë saktë për epërsi 1:0 të vendasve (58’). Me negativë morëm sinjal se duhet të sulmojmë akoma më shumë, trajneri Nuhiu inkuadroi në lojë Ditën, Rexhepin dhe Aganspahiç, derisa efekti i sulmeve të njëpasnjëshme erdhi në minutën e 88-të kur Cake sjell barazim 1:1. Këtu vendasit u panë të lodhur dhe skuadra ndjeu se sërish mund të përmbysë duke dalë të gjithë në sulm. Fatkeqësisht mbrapa ngelën hapsira dhe vendasit na ndëshkuan në minutën e dytë të kohës shtesë kur Llazareviç shënon për 2:1. Në fund për pak barazuam me portierin Taleski që doli para në një këndore, mirëpo goditja e tij me kokë u ndal në vijën fatale.
Ndeshja e radhës
Shkëndija fundjavën e ardhshme pret Makedonija Gj.P. në Tetovë në duelin e xhiros së 8-të në LPFMV.
Shkëndija-Makedonija Gj.P. 24.09.2023