Bruno Dita na jep fitore 1:0 përballë Tikveshit në xhiron e 14-të në LPFMV.
SHKËNDIJA – TIKVESHI 1:0 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Dita 15’ (Shkëndija)Arbitër: Stojanov (Shtip)
SHKËNDIJA: Taleski, Velija, Elezi (Maksimov 65’), Adili, Limani, Cake, Shala (Totre 90’+2), Qaka, Dita (c), Krasniqi, Aganspahiç.
Trajner: Ardian Nuhiu
TIKVESHI: Rener, Fetai (Tasev 82’), Ivanovski (c), Karçeski, Stoimenovski, Gassama (Spahiu 35’), Donçev, Mile Todorov (Gjorgjiev 82’), Mihailov (Ibishi 52’), Martin Todorov, Kurezh. Trajner: Gordan Zdravkov
Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e 8-të sezonale dhe barazohen me pikë me Shkupin në vendin e parë me nga 28 pikë, me çairasit që ndeshjen e kësaj xhiroje e luajnë të dielën. Goli i Ditës në minutën e 15-të rezultoi deçiziv për tre pikë të reja të Shkëndijës edhe pse fitorja 1:0 ndaj Tikveshit mund të ishte më bindëse nëse do realizonim ndonjë nga shanset e shumta të krijuara.
Pa Çinarin e pezulluar (karton i kuq), krahun e djathë të sulmit e mbuloi Elezi, derisa në mbrojtje Limani ishte në të djathtë, Cake e Adili në qendër, derisa Velija në të majtë. Totre u ka në bankinë, me Ditën kapiten dhe Qakën si mesfushor qendre.
Shkëndija sulmoi që në start dhe për herë të parë në këtë sezon shënojmë gol në fazën e hershme të ndeshjes. Krasniqi harkoi nga këndi, ndërsa Dita (15’) me pak fat përcjell topin në rrjetë për avantazh 1:0. Për Ditën ishte goli i 3 sezonal, derisa Krasniqi regjistroi asistin numër 6. Aganspahiç shkoi pranë golit me goditje me kokë, por rezultoi vetëm rrjetë e jashtme. Në minutën e 30-të kërcënojnë miqtë kur Gasama godet skaj portës, derisa 5 minuta më vonë shpëtojmë pas shansit të Spahiut. Velija do të lëshonte një të majtë të fortë që s’gjeti kuadratin, derisa në minutën e 42-të pretenduam një penalti me Elezin, por morëm karton të verdhë për simulim. Një minutë më vonë Elezi nuk gjen portën nga një pozitë tejet ideale.
Pjesa e dytë nisi me mundësi për Aganspahiçin, derisa më vonë mundej dhe duhej të ishte 2:0 kur Shala ishte në super mundësi, por mrekullisht shpëtojnë miqtë, duke devijuar në këndore. Në vazhdim më shumë menaxhuam lojën dhe humbë një mundësi me Krasniqin që goditi skaj portës dhe pas 4 minutave shtesë takimi u mbyll me fitore 1:0.
Ndeshja e radhës
Pason pauza kampionale shkaku i ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese, derisa më 26 nëntor xhiroja e 15-të na sjell transfertë me Bregallnicën në Shtip.
Bregallnica-Shkëndija 26.11.2023