Dy gola të boshnjakut Aganspahiç dhe një realizim i Totres na çojnë me fitore dhe tre pikë në pauzën dimërore.
SHKËNDIJA – SILEKSI 3:1 (1:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Aganspahiç 8’ dhe 61’, si dhe Totre 90’+3 (Shkëndija), ndërsa Gjorgjievski 18’ (Sileksi)
Arbitër: Jovan Kaçevski (Strugë)
SHKËNDIJA: Taleski, Limani, Cake, Çinari, Shala (Velija 86’), Aganspahiç, Elezi (Nuhija 72’), Dita, Totre (c), Adili, Maksimov.
Trajner: Ardian Nuhiu
SILEKSI: Andov, Rajkov, Manasievski (c) (Masevski 85’), Zajiq, Kalanoski, Milosavleviq, Gjorgjievski, Poposki, Eftimov, Lazareviq, Nikoliq.
Trajner: Gorazd Mihailov
Shkëndija merr fitoren e 10-të sezonale përballë Sileksit, pasi sot në kuadër të xhiros së 18-të dhe të fundit të gjysmësezonit vjeshtor shënuam fitore 3:1. Aganspahiç me dy gola bëri diferencën, ndërsa Totre në kohën shtesë realizoi golin e tretë. Sileksi barazoi përkohësisht me penaltinë e Gjeorgjievskit. Nga minuta e 69-të kuqezinjtë luajtën me 10-të futbollistë, pasi Dita doli me karton të kuq.
Ndeshja nisi me kërcënimin e Shalës por e djathta e fortë nuk ishte precize. Gjithsesi epërsia do të vinte herët, kur Çinari me super harkim gjen në zonë Shalën, ky kthen para portës me kokë ku Aganspahiç realizon për 1:0. U dukëm shumë komod, por një top i humbur na kushtoi kur Adili u desh të ndërhynte me faul ndaj kundërshtarit që kaloi portierin Taleski, derisa penaltinë në gol e ktheu Gjorgjievski për barazim 1:1. Miqtë kishin një tjetër kërcënim me të njejtin lojtar që nuk gjen portën, derisa në anën tjetër Totre e Maksimov kishin tentimet e tyre. Portieri mysafir Andov u dallua me super pritje pas goditjes me kokë të Ditës, derisa më vonë e majta e Çinarit nuk gjeti kuadratin. Deri në fund të pjesës së parë tentuam me Elezin, Çinarin dhe Shalën, por në pauzë shkuam me rezultat 1:1.
Fraksioni i dytë nisi me tentimin e Ditës, ndërsa më vonë Cake befasoi me një harkim që u ndal në pjesën e epërme të traversës. Portieri mik Andov solli super pritje pas goditjes me kokë të Shalës që pranoi super harkim nga Çinari, derisa në anën tjetër Milosavleviq provoi nga distanca por jo preciz.
Shkëndija shtoi presionin dhe ndryshimi erdhi në minutën e 61-të kur Çinari asiston në zonë për Aganspahiçin, derisa sulmuesi boshnjak me shumë nuhatje godet në rrotullim për epërsi të re të Shkëndijës dhe gol të 7-të sezonal. Në minutën e 69-të mbetëm pa Ditën që doli me të kuq dhe për pak u ndëshkuam me 10-të lojtarë kur tentimi i miqve u ndal në traversë. Aganspahiç i’u afrua hat-trikut në minutën e 75-të por Dodev i mohoi golin e tretë, deris në anën tjetër Taleski kontrolloi tentimin e Gjorgjievskit me kokë. Në kohë shtesë Çinari humbi mundësi të mirë pas asistit të Totres, mirëpo vetë kapiteni do të sillte golin e tretë kur realizoi për shifra përfundimtare 3:1.
Ndeshja e radhës
Me ndeshjet e xhiros së 18-të është mbyllur gjysmëstinori vjeshtor. Pason pauza dimërore, derisa kampionati kthehet më 18 shkurt kur Shkëndija do të jetë mysafire e Makedonija Gj.P..
Makedonija Gj.P.-Shkëndija 18.02.2024