Çonari me super gol na jep fitore 1:0 përballë Makedonija Gj.P. në duelin e xhiros së 8-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.
SHKËNDIJA – MAKEDONIJA GJ.P. 1:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Çinari 59’ (Shkëndija)
Arbitër: Vllatko Ilioski (Prilep)
SHKËNDIJA: Taleski, Cake, Adili, Limani, Velija (Maksimov 46’), Totre (c) (Jakupi 90’+6), Qaka, Çinari (Nuhija 90’+4), Krasniqi, Dita, Elezi (Aganspahiç 46’).
Trajner: Ardian Nuhiu
MAKEDONIJA GJ.P.: Stevkovski, Manev, Ilievski, Skenderi (Popzllatanov 67’), Stojkoski (c) (Karaçanakov 84’), Veliçkovski (Fazli 60’), Stojkov, Aleksovski (Aliji 60’), Samake (Stoilov 67’), Da Silva, Pecov.
Trajner: Mite Mitev
Shkëndija kthehet në rrugën e fitores duke koleksionuar triumfin e 5-të sezonal. Një super gol i Erald Çinarit na jep fitoren 1:0 dhe tre pikët përballë Makedonija Gj.P. në Tetovë në duelin e xhiros së 8-të në LPFMV. Kuqezinjtë u paraqitën me fanellën e tretë dhe e njejta u tregua me fat në ditën e promovimit, pasi kthehemi te fitorja pas barazimit me Shkupin (0:0) dhe humbjes me Sileksin (2:1).
Për herë të parë prej kur është ulur në bankinën e Shkëndijës, trajneri Ardian Nuhiu vendosi të ndryshojë renditjen e ekipit, derisa skema 3-4-2-1na dha më shumë hapsira në fazën sulmuese. Kjo rezultoi me më shumë volum loje para portës kundërshtare, mirëpo një traversë e goditur në fazën fillestare të ndeshjes dhe më vonë disa goditje të kontrolluara nga portieri Stevkovski u treguan të pamjaftueshme për të ndryshuar rezultatin.
Në fillim të pjesës së dytë Aganspahiç dhe Maksimov zunë vendet e Elezit dhe Velijas, derisa forcuam presionin ndaj portës kundërshtare. Ndryshimi do të vinte në minutën e 59-të kur Krasniqi harkon në zonë, derisa Çinari pasi zbret topin me saktësi lëshon super goditje për epërsi 1:0. Shkëndija tashmë pa presionin e rezultatit shfaqej akoma më e rrezikshme, mirëpo mungesa e koncentrimit në përfundim të aksioneve na pamundësoi të gjenim golin e dytë. Në anën tjetër një super pritje e Taleskit na mbajti në epërsi, derisa në kohën shtesë shtylla ishte aleate e jona, kur pak mungoi miqtë të barazonin.
Gjithsesi në fund koleksionojmë fitoren e 5-të sezonale dhe me 16 pikë ruajmë pozitën e parë në renditje.
Ndeshja e radhës
Fundjava e ardhshme sjell duel si mysafir me Gostivarin në kuadër të xhiros së nëntë në LPFMV.
Gostivari-Shkëndija 01.10.2023