Dita e Krasniqi me gola në kohën shtesë sjellin triumf 2:1 në fushë të Rabotniçkit në duelin e xhiros së pestë në LPFM.
RABOTNIÇKI-SHKËNDIJA 1:2 (1:0)
Stadiumi në Maxhari të Shkupit
Golashënues: Kagimu 28’ (Rabotniçki), ndërsa Dita 90’+1 dhe Krasniqi 90’+6 (Shkëndija)Arbitër: Stojançe Trpçevski (Kavadar)
RABOTNIÇKI: Aleksovski, Murati, Despotovski, Sodiq, Alomeroviç, Angelov (c), Maxari (Boshkovski 75’), Grozdanovski (Miserdovski 90’), Petkovski (Gando 90’+3), Kagimu (Todorovski 58’), V. Stojanovski (G. Stojanovski 75’).Trajner: Milan Ilievski
SHKËNDIJA: Taleski, Velija (Elezi 79’), Cake, Adili, Limani (Rexhepi 64’), Totre (c), Maksimov, Çinari, Krasniqi, Qaka (Dita 25’), Aganspahiç.
Trajner: Ardian Nuhiu
Kuqezinjtë prodhojnë super përmbysje me dy gola në kohën shtesë për fitore 2:1 ndaj Rabotniçkit dhe vazhdim të serisë prej 4 fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat.
Trajneri Nuhiu në formacion solli dy ndryshime kur Aganspahiç ishte në sulm në vend të Elezit, derisa Velija zuri pozitën e Rexhepit në krahun e majtë të mbrojtjes.
Shkëndija e nisi me shumë autoritet ndeshjen dhe Maksimov e Qaka sollën kanosjet e para drejt portës vendase, derisa në minutën e 8-të mundej dhe duhej të kishim avansuar. Çinari kombinon dyfish me Aganspahiçin, derisa numri “7” doli i vetmuar para portierit që me pritje refleksive ndali të djathtë e shkodranit. Aleksovski do të ishtë në nivel të detyrës edhe në minutën e 17-të kur ndali të majtën e Çinarit. Huqjet e kuqezinjëve u dënuan në minutën e 28-të kur pas një aksioni të vendasve, Kagimu godet bukur në këndin e epërm për epërsi 1:0. Paraprakisht mbetëm pa Qakën që doli nga loja pas një dëmtimi në një goditje pa top të vendasve. Në vazhdim Shkëndija ishte më kërkuese, me Çinarin që shfaqej arma kryesore me goditje nga distanca, derisa Aleksovski do të shpëtonte një goditje të Krasniqit të devijuar nga Çinari.
Në pjesën e dytë hymë me ofenzivë në kërkim të barazimit dhe pas disa aksioneve në minutën e 52-të aksioni i Krasniqit dhe Ditës solli gol nga Aganspahiç, mirëpo i njejti u anulua për pozitë jashtoje që kërkon rishikim. Vendasit ishin orientuar të mbrojnë rezultatin dhe daljet e rralla përpara nuk paraqisnin rrezik për Taleskin, derisa në anën tjetër portieri Aleksovski vazhdonte të fitonte “duelet” me Çinarin në goditjet e tij nga distanca. Provoi trajneri Nuhiu me disa zëvendësime të ndryshojë ritmin e lojë, por minuta e 90-të erdhi me epërsi 1:0 të vendasve. Por për Shkëndijën këtu do të fillonte historia e kësaj ndeshje, pasi prodhojmë super përmbysje me 2 gola në 6-të minutat shtesë të treguara nga arbitri. Fillimisht harkimi i Cakes ndiqet nga Dita që sjell barazim 1:1 me goditje me kokë, derisa në minutën e 6-të shtesë pas një harkimi nga këndi, Aganspahiç bën “lëmsh” mbrojtjen vendase, derisa Krasniqi përcjell topin në rrjetë për fitore 2:1 dhe triumf të katërt të njëpasnjëshëm të kuqezinjëve.
Ndeshja e radhës
Shkëndija fundjavën e ardhshme pret Shkupin në Tetovë në duelin e xhiros së 6-të në LPFMV.
Shkëndija-Shkupi 02.09.2023