Barazojmë 2:2 në Shtip në xhiron e 15-të të LPFMV. Elezi dhe Aganspahiç shënuan për kuqezinjtë, por kjo ishte pamjaftueshme për tre pikë.
BREGALLNICA – SHKËNDIJA 2:2 (0:1)
Stadiumi i qytetit në Shtip
Golashënues: Velkovski 54’ dhe Gjorgjiev 86’ (Bregallnica), ndërsa Elezi 23’ dhe Aganspahiç 68’ (Shkëndija)
Karton i kuq: Robakidze 73’ (Bregallnica)
Arbitër: Aleksandar Grujoski (Kërçovë)
BREGALLNICA: Davkov, Jovanov, Koçankovski (Dimitrievski 72’), Gjorgjiev, Anderson (Gligorov 79’), Andonov, Vebster (Stojçevski 79’), Velkovski, Robakidze, Lvaliva (Venegas 72’), Siljanovski (c).
Trajner: Goran Zdravkov
SHKËNDIJA: Taleski, Limani (Rexhepi 86’), Cake, Çinari, Totre (c), Krasniqi, Velija (Shala 89’), Aganspahiç, Elezi (Maksimov 72’), Dita, Adili.
Trajner: Ardian Nuhiu
Shkëndija kthehet me një pikë nga Shtipi ku barazuam 2:2 me Bregallnicën në duelin e xhiros së 15-të në LPFMV. Dy herë ishim në epërsi me golat e Elezit dhe Aganspahiçit, mirëpo vendasit barazonin në dy kohë edhe pse nga minuta e 73-të luajtën me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Robakidze.
Ndeshja nisi me autoritet të kuqezinjëve që qarkullonin topin dhe kërkonin hapsira shënimi me Krasniqin që solli kanosjen e parë në minutën e katërt, mirëpo goditja shkoi në shtyllë të dytë ku nuk kishte lojtar. Vendasit u përgjigjën në minutën e 8-të kur e majta e fortë e Vebsterit detyron super intervenim të Taleskit. Mundësia e bllokuar e Krasniqit në vonë do të paralajmëroi epërsinë e tanëve që erdhi në minutën e 23-të. Elezi shërbehet saktë me top në zonë, u duk se mbylli këndin për goditje, mirëpo rrotullohet bukur me një të majtë precize shënon super gol për epërsi 0:1. Minutat në vazhdim menaxhuam lojën si duhet, derisa në minutat shtesë të pjesës së parë Dita u gjet në mundësi për golin e dytë, por pa sukses.
Pjesa e dytë nisi me mundësi për Bregallnicën. Aksion i bukur i vendasve detyron në super pritje Takeskin, pas goditjes së fortë të Siljanovskit. Në minutën e 54-t Vebster harkon nga gjuajtja e lirë, Velkoski me kokë barazon shifrat në 1:1. Pasuan minuta të vendasve dhe disa mundësi të mira kur me pritje të sigurta shpëtonte Taleski, ndërsa në anën tjetër Aganspahiç dhe Krasniqi provuan portën, i pari nuk ishte preciz, derisa tentimi i numrit 10-të largohet në këndore nga portieri vendas. Davkov prodhoi super pritje ndaj goditjes së Krasniqit edhe në minutën e 68-të, derisa në topin e dëbuar vrapon Aganspahiç që realizon për 2:1. Pak më vonë Robakidze merr kartonin e dytë të verdhë, duke lënë vendasit me një lojtar më pak. U duk se kemi menaxhim dhe kontroll deri në minutën e 86-të kur një harkim i parrezikshëm gjen të papërgatitur Taleskin dhe Gjorgjiev sjell barazim 2:2. Duke kërkuar golin e tretë në kohën shtesë rrezikuam të mundemi por Taleski shëpton dhe mban rezultatin final 2:2.
Ndeshja e radhës
Të mërkurën luhen ndeshjet e xhiros së 16-të dhe kuqezinjtë në Tetovë luajnë me Rabotniçkin.
Shkëndija-Rabotniçki 29.11.2023