Kuqezinjtë optimistë për transfertën me Shkupin

No image

Shkëndija të shtunën në Çair përballet me Shkupin në duelin e xhiros së 8-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Kuqezinjtë kërkojnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive kur të shtunën luajnë si mysafirë me FC Shkupin. Me tre fitore të njëpasnjëshme në kampionat dhe pa gol të pranuar, ekipi është para një testi interesant në këtë transfertë të parë prej kur drejtimin e ekipit mori Erhan Selimi, nëse përjashtojmë sfidën me Renovën ku Shkëndija luajti në cilësi të mysafirit. Gjithsesi, në mesjavë skuadra barazoi 2:2 në transfertën me Vardarin në takimin e parë të 1/8 së finales së Kupës, ku kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë shumë pozitive.

 

Të rejat në skuadër
Orari i ngjeshur sjell kokëdhimbjet e para për stafin teknik të Shkëndijës, që kundër Shkupit do të ketë mungesa të rëndësishme në formacion. Pasi humbën takimin me Vardarin, sërish mungojnë Bejtullai dhe Zahov. Mbrojtësi Egzon Bejtullai nuk është rikuperuar pas dëmtimit të pësuar në sfidën me Struga Trim&Lum, ndërsa e njejta situatë edhe me portierin Zahov që ankohet në dëmtim të kofshës së këmbës. Edhe pse luajti me Vardarin, sërish shqetësime ndjen mbrojtësi i majtë Zija Merxhani, kurse jashta kombinimit mbetet edhe Gledi Mici shkaku i pezullimit pas kartonit të kuq.

Kundërshtari
FC Shkupi luan me oscilacione në start të sezonit të ri dhe në 7-të xhirot paraprake numërojnë 2 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Në tre sfidat e fundit skuadra nga Çairi nuk njeh triumfin pasi u mund në shtëpi nga Vardari dhe barazuan jashtë pa gola me Akademia Pandevin në kampionat, kurse në mesjavë në Kupë nuk shkuan përtej barazimit 0:0 me Sileksin. Pa gol të shënuar, por edhe të pranuar në 180 minutat e fundit presin sfidën me Shkëndijën ku për herë të parë në një ndeshje kampionale në pankinën e Shkupit do të debutojë ish-trajneri i kuqezinjëve, Qatip Osmani.

Dueli Shkupi-Shkëndija luhet të shtunën në stadiumin e Çairit me fillim në orën 15:00.