KOMUNIKATË | Sqarim për opinionin

No image

Lidhur me informacionet e publikuara në disa mediume, ku thuhet, “Pas finales së Kupës së Maqedonisë kanë ndodhur ndryshime në kryesinë e klubit dhe ndryshim në postin e kryetarit të KF Shkëndija“, dëshirojmë të sqarojmë opinionin se: tërheqja e presidentit të klubit z. Abdylmenaf Bexheti nuk ka të bëjë me rezultatet e ekipit, pasi shkaku i angazhimeve të shumta në kompaninë “Ecolog” dhe në jetën e shoqërore, në mungesë të hapsirës kohore për tu përgjigjur kërkesave, tani më 6 muaj ka kërkuar të lirohet nga përgjegjësitë në klub. Ndryshimet në strukturën udhëheqëse të KF Shkëndija, duke përfshirë edhe pozitën e kryetarit të klubit, asesi nuk kanë të bëjnë me rezultatet e fundit të skuadrës dhe disfatën në finalen e Kupës.

Rikonstruimi i udhëheqësisë ka filluar në vjeshtë të vitit të kaluar, më saktë në tetor dhe që atëherë kryetari i deritashëm Bexheti është tërhequr nga aktivitetet e përditshme në klub ndërsa nga fillimi i vitit ai i ka ndërprerë aktivitetet plotësisht. Pjesa formale, pra procedura e ndërrimit të drejtorit ekzekutiv/presidentit, në Regjistrin Qendror të RM-së është realizuar më 11 prill 2017. Publiku i gjerë do të informohej lidhur me ndryshimet që po ndodhin në menaxhment dhe në stafin teknik, sapo të përmbylleshin procedurat e formalizimit të tyre tek institucionet përkatëse zyrtare.

Me këtë dëshirojmë t’i hedhim posht të gjitha spekulimet ose keqinterpretimet në media ku aludohet se ndërrimi i kryetarit vjen tash si rrjedhojë e rezultateve jo të kënaqshme të skuadrës, sidomos pas dështimit për marrjen e trofeut në finalen e kupës.

Në periudhën e ardhshme udhëheqësia e Shkëndijës do t’i ndërmarrë të gjitha aktivitetet dhe masat e duhura që klubi t’i rrumbullakojë të gjitha ndryshimet e planifikuara për ta nisur në formë të kompletuar stinorin e ardhshëm. Lidhur me këto hapa dhe aktivitete opinioni do të informohet me kohë.