Fokusi drejt Kupës, pritet mbështetje nga tribunat

No image

Me 18 pikë epërsi para Vardarit në kampionat, Shkëndija të mërkurën kërkon kualifikimin në finale të Kupës për të vazhduar rrugën drejt fitimit të dy titujve në futbollin vendor. Skuadra sot ka punuar e kompletuar, me kapitenin Hasani që pas një muaji është stërvitur me grupin.

Kuqezinjtë vazhdojnë punën me impenjim maksimal, duke kërkuar të mbajnë nivelin në drejtim në këto momente deçizive të sezonit. Ekipi ka ecuri të shkëlqyeshme duke u konfirmuar lider bindës në kampionat me 18-të pikë më shumë se rivali për titull, ndërsa të mërkurën do të kërkohet kualifikimi në finale të Kupës, garë gjithashtu e vendosur si objektiv i rëndësishëm për tu fituar këtë sezon. Shkëndija në mesjavë zhvillon takimin e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Maqedonisë kur do të jetë “mysafire” e Renovës në Tetovë, pas barazimit 1:1 në takimin e parë. Fitorja bindëse (5:0) të shtunën në kampionat ndaj të njëjtit rival gjithsesi se motivon skuadrën, por stafi teknik paralajmëron futbollistët që të hyjnë me qasje shumë serioze pasi çdo ndeshje është histori në vete. Lajme pozitive vijnë nga ekipi mjekësor, që ka dhënë leje me grupin të punojë kapiteni Ferhan Hasani, i cili sot ushtroi me bashkëlojtarët pas pauzës prej një muaji shkaku i lëndimit. I rikuperuar plotësisht është mesfushori Armend Alimi, ndërsa të drejtë loje fiton edhe Besart Ibraimi, i cili mungoi në fundjavë shkaku i skualifikimit pas pesë kartonave të verdhë. Duke parë se ekipi ec sigurtë drejt fitimit të titujve, besohet se është momenti i duhur që publiku të rikthehet në tribuna dhe të mbështes skuadrën në këto momente historike.