Erhan Selimi: Turnetë në Zagreb dhe Prishtinë përvojë e madhe për shpresat e Shkëndijës

No image

Derisa vëmendja e ekipit të parë të Shkëndijës është drejtuar ka përgatitja sa më e mirë për ndeshjet në eliminatoret e UEFA Europa Conference League, paralel me planet e saj vazhdon edhe shkolla e futbollit Shkëndija. 

Periudhën që kaloi kuqezinjtë me dy gjenerata ishin pjesë e dy turneve ndërkombëtarë në Zagreb dhe Prishtinë. 

Turneu memorial “Krunoslav Fush” në Zagreb ishte për moshat U15, ndërsa ai në Prishtinë i organizuar nga FC 2 Korriku përfshinte gjeneratën U17. Me një konkurencë shumë serioze dhe pjesëmarrje të klubeve të njohura e me shkolla shumë cilësore si Dinamo Zagreb, Hajduk Split, Crvena Zvezda e gjitha gjigandët tjerë të ish-Jugosllavisë në turneun në Zagreb dhe me turqit e Beshiktashit, Zadarin e të tjerë në Prishtinë, të rinjtë e Shkëndijës morën përvojë unike që do tu shërbejë në të ardhmen. 

Vlerësoj se kemi bërë punë shumë të mirë me pjesëmarrjen në këto dy turne ku përvojë nuk kanë marrë vetëm fëmijët, por edhe gjithë ne tjerët si trajnerë e shoqërues të skuadrave”, thotë drejtori i Shkollës së Futbollit Shkëndija, Erhan Selimi. 

Po të shohësh listën e skuadrave pjesëmarrëse në Zagreb, e kupton se Shkëndija ishte në mesin ekipeve më me renome nga gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë. Gjithçka ka qenë super mirë, me vërejtjen e vetme se brenda një dite duhej të luajmë 4 ndeshje dhe aty natyrisht se skuadra e ka ndjerë. Por mënyra si jemi paraqitur na bën krenar dhe besoj se kemi lënë përshtypje shumë pozitive”, shprehet trajneri i Shkëndijës U15, Ismail Ismaili. 

Shkëndija U15 e drejtuar nga Ismail Ismaili u mund nga Varazhdini 2:0, fituam 2:1 Sarajevën (Flori Iljazi shënoi dy golat), u mundëm 6:2 nga Dinamo Zagreb (Iljazi realizoi dy golat për kuqezinjtë), para se në ndeshjen e fundit të mundeshim 3:0 nga Istra. 

Duhet të jemi të kënaqur edhe pse gjithmonë mundet më mirë. Orari i ngjeshur nuk dua të duket si alibi, thjesht kjo ishte super pëvojë për çunat, ndërsa dua të potencoj se ndeshja me Dinamo Zagrebin ishte më e mira e jona. Rezultati duket i thellë, por kishim 3 shtylla, luajtëm hapur dhe thjesht ishim pjesë e një super ndeshje përballë një prej shkollave më të mira në Evropë”, shton Selimi. 

Ndërkohë në Prishtinë te turneu ndërkombëtarë i FC 2 Korrikut skuadra U17 e Shkëndijës e drejtuar nga Agron Memedi pas fitores 5:2 ndaj KF Trepça nga Mitrovica (Isa, Ali, Murati dhe Memishi shënuan për kuqezinjtë), kishte një përballje interesante me Beshiktashin e Stambollit (humbje 2:0). Në fund u mundëm nga Llapi në turneun ku vendin e parë e mori për të dytin vit me rradhë, Beshiktashi. 

Përgëzoj FC 2 Korrikun për organizimin vërtet shumë të mirë të këtij turneu. Kush është Beshiktashi e dimë të gjithë dhe dueli ndaj tyre ishte një test i vërtetë për të gjithë. Edhe nga ky turne dalim me përshtypje pozitive, duke marrë atë që deshëm për ekipet tona. Pas fundit të kampionatit vendor, vërtet i’a vlejti për çunat kjo eksperiencë ndërkombëtare”, përfundoi Erhan Selimi. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME