Ditëlindja e 29, Bejtullai: Krenar që jam pjesë e historisë së Shkëndijës

No image

Egzon Bejtullai po zhvillon sezonin e tij të 10-të jubilar me fanellën kuqezi. Mbrojtësi prapa vetes ka lënë 291 ndeshje zyrtare me Shkëndijën (228 ndeshje kampionale me 8 gola të shënuar, 19 ndeshje të Kupës dhe 44 takime e një gol të shënuar në Kupat e Evropës). Sot, zëvendës kapiteni feston ditëlindjen e tij të 29-të dhe krahas familjes e shëndetit, dëshira e tij është që të shtojë numrin e trofeve në karrierën profesioniste (Bejtullai numëron 3 tituj kampion me kuqezinjtë dhe 3 trofe të Kupës (2 me Shkëndijën dhe 1 me Teteksin)).

E kishe menduar se 29 vjeç do jesh duke luajtur sezonin e 10-të në karrierë me Shkëndijën?

“Të jem i sinqertë nuk paskam bërë këtë llogari, por tani që po e flasim sigurisht se më bën të ndjehem mirë. Në fakt jam krenar që kisha mundësinë dhe jam pjesë e arritjeve historike të Shkëndijës. Natyrisht i lumtur që kam mundur të kontribuoj në këto suksese të një klubi të madh si Shkëndija.”

Jeni afruar pranë shifrës së 300 ndeshjeve zyrtare me Shkëndijën. Nëse do duhej të ndaje ndonjë takim që të vjen direkt në kujtesë, cila do ishte?

“Milani, AIK, Totenhem, Red Bull Salzburg, Rosenborg, Sheriff Tiraspol, Mlada Boleslav….! Ufff, ka shumë ndeshje që më kujtohen. Fitoret me Vardarin, takimet kur kemi festuar tituj, finalet e fituara të Kupës, por edhe të humbura. Duke numëruar pa ndalur tregon se ka aq shumë histori brenda këtyre viteve dhe ky fakt më bën krenar.”

Me një episod të shkurtër në Suedi te Helsingborg, thuajse gjithë karriera jote kalon përmes Shkëndijës, pa harruar fillimet me Teteksin. Por paralel ke bë histori edhe me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, duke luajtur në dy kampionate Evropiane, me U21 në Poloni në vitin 2017 dhe me përfaqësuesen A në EURO 2020 e zhvilluar në vitin 2021 shkaku i pandemisë!

“Në Suedi kalova duke dashur të provoj veten jashta vendit, si çdo futbollist tjetër. Por për arsye familjare gjërat shkuan si shkuan dhe e dija se vendi im është këtu në Shkëndijë. Pavarësisht se kam nisur me Teteksin, ky është klubi im dhe shtëpia ime. Paraqitjet me Shkëndijën më mundësuan përfaqësuesen dhe ja që kisha fatin dhe kënaqësinë të jem pjesë e dy sukseseve historike. Në vitin 2017 Maqedonia për herë të parë me futboll u kualifikua në një Kampionat Evropian, qoftë ai për futbollistë nën 21 vjeç. Ishte diçka unike paraqitja në Euro 2017 në Poloni, ku kemi luajtur në grup me Spanjën, Serbinë dhe Portugalinë. Më pas erdhi suksesi më i madh i futbollit tonë, kualifikimi në EURO 2020. Realizim i një ëndërre që shumë futbollistë do dëshironin ta shijojnë. Përvojë dhe përjetim i papërshkrueshëm!”

Shkëndija gjithmonë synon kreun dhe trofetë. E sheh ekipin të aftë të ringjitet në krye?

“Sigurisht se po! Shikoni, çdo ekip ka ngritjet dhe rëniet e veta dhe kjo ndodh si dukuri normale kur vjen koha për ndërrime të gjeneratave. Janë cikle të pashmangshme dhe ne pas disa viteve dominim, jemi gjetur në këtë situatë. Por nuk është se jemi dorëzuar. Skuadra punon dhe lufton të përmirësohet, kryesia duket se angazhohet të jemi sa më lartë dhe gjithë kjo punë në një far mënyre është detyrim para tifozëve që na mbështesin dhe sponsorit që na mundëson gjitha kushtet për sukses.”

Sot je bërë 29 vjeç, çka ka ndryshuar te Egzoni brenda këtyre viteve dhe cila do të ishte dëshira e ditëlindjes?

“Jam më i moshuar, hahaha (qeshet). Shikoni, si kalojnë vitet njeriu duke fituar përvojë piqet dhe njeh më shumë veten dhe situatat që mund të të dalin para. Unë s’jam përjashtim dhe sigurisht se dalloj shumë me atë që kam qenë më parë. Dij përgjegjësitë e mia, pranoj kritikat dhe nëse dikur më nervozonin tash më motivojnë për të vazhduar të punoj akoma më shumë. Si po “plakem” (haha qeshet), më shtohet dëshira për fitore e tituj. Por, për të pasur sukses nuk duhet vetëm të duash, thjesht duhet të punosh shumë fortë që të triumfosh. E tash si dëshirë të gjithë kemi prioritet shëndetin e mirëqenien familjare, ndërsa në aspekt profesional sigurisht se dua tituj tjerë me Shkëndijën.”

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME