Çinari: “Humbja dhemb, përgjigjen duhet ta japim në terren”

No image

Çdo kritikë duhet pranuar dhe reagimi e përgjigja jonë të vijë në fushën e lojës. Të dielën ndaj Pobedës do të jetë një tjetër Shkëndijë.  Kam ardhur për të triumfuar dhe besoj të punojmë fortë për të arritur objektivat tona”, shprehet mes tjerash Erald Çinari. 

     Starti me humbje i gjysmësezonit pranveror ka sjellë dëshprim në taborin kuqezi, mirëpo kohë për vuajtje nuk ka pasi ekipin e presin tjera sfida në periudhën që pason. Natyrisht që secili do të donte situata të ishte ndryshe, por pikërisht momente të këtilla janë mundësi për të treguar karakter. Në këtë drejtim, shansi i parë për të kthyer gjërat në favor është ndeshja e të dielës me Pobedën në Tetovë. 

     “E kuptojmë dëshpërimin e tifozëve dhe ne në klub gjithashtu jemi të mërzitur që nuk mundëm t’i gëzojmë me fitore në derbi. Mirëpo në futboll ndodhin gjëra të këtilla dhe ne duhet të tregojmë karakter pikërisht në situata si kjo. Për këtë na duhet edhe mbështetja e publikut”, shprehet sulmuesi Erald Çinari, i cili të dielën debutoi me fanellën e Shkëndijës në një ndeshje zyrtare dhe ishte ndër lojtarët më aktiv të kuqezinjëve. 

     “Të dielën nuk ishim në nivelin e duhur, nuk shfrytëzuan shanset që kishim, ndërkohë pranuam golat me gabimet tona dhe këtu u vendos fati i takimit. Fatkeqësisht në momente të caktuara edhe arbitrat kishin disa lëshime, por marrë në përgjithësi humbëm për fajin tonë”,shton Çinari. 

     Ai kërkon përkrahje nga publiku, derisa fton bashkëlojtarët që të reflektojnë dhe reagimin ta japin në fushën e lojës.

     “Arsyetim për humbjen nuk duhet të kërkojmë, çdo kritikë me apo pa vend duhet pranuar dhe nëse kemi diçka për të thënë, ta bëjmë në terren. Reagimi dhe përgjigja jonë duhet të vijë në fushën e lojës dhe këtë situatë në favorin tonë ta kthejmë me seri fitoresh. Unë këtu kam ardhur për të triumfuar dhe për gjëra të madha dhe besoj të punojmë fortë për të arritur objektivat tona. Të dielën presim Pobedën dhe besoj se do të shohim Shkëndijën e vërtetë”, përfundoi Erald Çinari, duke apeluar për mbështetje të publikut për ndeshjen e të dielës në kërkim të tre pikëve përballë Pobedës në Tetovë. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME