Derbi për kreun e tabelës është mbyllur me barazim 2:2, me kuqezinjtë që ishin më pranë fitores edhe pse dy herë ktheheshin nga negativa. Shkëlqen Omar Imeri me dy gola.
- Shkëndija barazon 2:2 në transfertën me Vardarin në Shkup
- Omar Imeri ishte heroi ynë me dy gola në rrjetën kundërshtare
- Vendasit shënuan me Darko Micevskin me penalti dhe Ali Adem
- Shkëndija nuk mundet nga Vardari 12-të ndeshje me rradhë
Një ndeshje derbi me rivalitet si kjo ishte e natyrshme të sillte edhe tension dhe ishte krejt i pritshëm kujdesi që futbollistët manifestonin në minutat e para. Alimi i pari kërkoi të rrezikoi me goditje nga distanca në minutën e 6-të, por topi shkoi mbi portë, njejtë si në anën tjetër kur vendasit tentuan me Adem. Minuta e 10-të solli aksion të mirë për tanët kur Alimi nxjer në pozitë ideale A. Ibraimin, mirëpo ky i fundit nuk kontrollon topin si duhet dhe shansi shkon në pakthim. Balansi do të thyhej në minutën e 29-të kur Micevski nga penaltia shënon për epërsi 1:0 të vendasve, pasi paraprakisht arbitri Stavrev cilëson si faul një start të Muratit në zonë. Pak më vonë kundërshtari krijoi situatë të rrezikshme përmes kundërsulmit të mbrojtësit të tyre të majtë Junior, që kalon mbrojtjen tonë, por me intervenim të saktë shpëton Zahov. Shkëndija nuk pranoi negativën dhe tentimet për barazim dhanë rezultat 10-të minuta para pauzës kur Alimi asiston perfekt për Imerin, me këtë të fundit që finalizon saktë në rrjetën vendase për simetri në rezultat. Ishte 1:1 pas pjesës së parë dhe 45 minutat e dyta ishin në dispozicion për të kthyer gjërat në favorin tonë.
Fillimi i pjesës së dytë pa një Shkëndijë shumë ofenzive që shkoi shumë pranë epërsisë. Fillimisht Imeri përfiton nga një gabim në mbrojtjen vendase dhe shërben për Alimin, plasimi i të cilit nuk gjen kuadrantin. Vetëm pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë Agim Ibraimi shënon gol pas asistit të Alimit, mirëpo arbitrat tregojnë pozicion jashtëloje. Duke ndjerë se kundërshtari ishte në rënie, Shkëndija shkoi totalisht në sulm, duke mbajtur vendasit nën presion me një seri të rivënieve këndore. Pikërisht kjo do të shfrytëzohej nga vendasit që në minutën e 53-të gjejnë hapsirë për kundërsulm të shpejtë dhe Ali Adem shënon për epërsi 2:1. Gjërat u komplikuan në momentet më të mira dhe tashmë tanët duhej në vend të avantazhit të kërkojnë barazimin. Besart Ibraimi kishte një tentim nga gjuajtja e lirë që bllokohet në këndore nga muri i gjallë, ndërsa në minutën e 65-të erdhi barazimi. Agim Ibraimi shërben mirë për Besart Ibraimin, i cili kthen topin para portës ku Omar Imeri me golin e dytë personal sjell barazim 2:2. Shkëndija kërkoi deri në fund fitoren dhe tre pikët, mirëpo pa gjetur golin e tretë të cilit më afër i shkoi Radeski në minutën e 80-të kur goditja e tij me kokë shkoi skaj portës. Shkëndija kështu mbyll gjysmësezonin vjeshtor në pozitën e dytë me 8-të pikë larg kreut të tabelës dhe pranvera do të sjell sfidë për rikuperim të negativës në luftën për titullin e kampionit.
VARDAR-SHKËNDIJA 2:2 (1:1)
Stadiumi “Todor Proeski” në Shkup
Shikues: 2 500
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Golashënues: Micevski pen. 29′, Adem 53′ (Vardar), ndërsa Imeri 35′ dhe 65′ (Shkëndija)
VARDARI: Gaçevski (c), Najdovski, Junior, Ibishi, Micevski, Avramovski, Cvetanovski (Dimoski 86′), Serafimov (Popzllatanov 69′), Mlladenovski, Adem, Brdarovski.
Trajner: Aleksandar Vasovski
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi, B. Ibraimi (c), A. Ibraimi, Murati, Junior (Fazli 85′), Neziri, Imeri (Radeski 74′), Husmani (Totre 67′).
Trajner: Ernest Gjoka