Besart Ibraimi dhe Junior me nga dy gola sigurojnë fitore bindëse 4:0 të kuqezinjëve përballë FC Shkupit , në një ndeshje ku Besart Ibraimi zyrtarisht bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e elitës së Maqedonisë së Veriut.
- Shkëndija fiton bindshëm 4:0 duelin e xhiros së 17-të me Shkupin
- Besart Ibraimi dhe Stenio Junior me nga dy gola vendosën takimin
- Me 167 gola B. Ibraimi merr rekordin në historinë e elitës vendore
- Kuqezinjtë ngjiten në vendin e dytë me pikë të njejta me A. Pandev
Me dy ndryshime në formacion në raport me ndeshjen e mesjavës me Strugën, kur Husmani zuri vendin e Totres dhe kthimi i Muratit që la në pankinë Çeshmexhievin, kuqezinjtë nisën furishëm dhe që në minutën e parë me goditjen e ashpër të Micit paralajmëruan se mendojnë vetëm për tre pikë. Epërsia do të vinte shpejt, pasi pa kaluar 120 sekonda, Besart Ibraimi merr top të mirë në zonë dhe me një të djathtë të fortë shënon për 1:0. Pak më vonë pas një aksioni të Agim Ibraimit mund të vinte goli i dytë, por bashkëlojtarët nuk ndoqën aksionin dhe rasti mbeti i pakonkretizuar. Pasoi lojë e qetë me Shkupin që pati disa tentime që nuk shqetësuan Zahovin e sigurtë në portën kuqezi. Ndryshimi i rradhës erdhi në minutën e 27-të kur një pasim veritkal në zonë ndiqet mirë nga Junior, me brazilianin që kalon porterin dhe plason në rrjetën e zbrazërt për 2:0. Me epërsi të sigurtë Shkëndija ishte edhe më dominuese dhe arriti të krijojë disa mundësi shënimi që nuk sollën gol deri në minutën e 41-t kur Imeri fiton penalti pas faulit të Adilit në zonë, ndërsa Besart Ibraimi realizon saktë për 3:0.
Njëkohësisht ky ishte gol i rekordit, pasi për Ibraimin ishte realizimi i 167-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, me çka edhe zyrtarisht bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e elitës vendore. Deri në fund të pjesës së parë nuk munguan raste për gol të katërt, por pauza i sheh skuadrat me distancën e tre golave.
Pjesa e dytë solli një Shkëndijë që kontrollonte lojën, me Shkupin që u shfaq më konkret në krijimin e shanseve, krejt kuptueshëm duke pasur parasysh rezultatin. Mirëpo Zahov në tre raste u shfaq me tre intervenime të sigurta. Në anën tjetër Shkëndija solli një aksion të bukur, por asisti i Juniorit për Imerin nuk shfrytëzohet nga i fundit që godet direkt në portierin mysafir, Aleksovski. Në minutën e 74-t B. Ibraimi ishte në shans të mirë shënimi kur merr asist perfekt nga Alimi, mirëpo numri ‘7’ godet fortë mbi traversë. Në vazhdim trajneri Gjoka freskoi skuadrën me tre zëvendësime kur Radeski, Fazli e Totre morën vendet e B. Ibraimit, Imerit dhe A. Ibraimit. Gjithsesi deri në fund Shkëndija do të sillte golin e katërt kur në minutën e 89-të pas një harkimi të Radeskit, portieri Aleksovski intervenon për një moment, ndërsa në topin e dëbuar arrin Junior që me një të djathtë të fortë shënon golin e dytë personal dhe të katërtin në këtë sfidë. Kështu u mbyllën llogaritë e ndeshjes me shifrat bindëse 4:0 në të mirë të Shkëndijës.
SHKËNDIJA-SHKUPI 4:0 (3:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 3 000
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Golashënues: B. Ibraimi 2’ dhe pen. 41’, Junior 27’ dhe 89’ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi, B. Ibraimi (c) (Fazli 77’), A. Ibraimi (Totre 81’), Murati, Junior, Neziri, Imeri (Radeski 69’), Husmani.
Trajner: Ernest Gjoka
SHKUPI: Aleksovski, Adili (c), Jusufi (Ramani 83’), Muharem (Goudiabi 62’), Ndong (Bajrami 62’), Krivanjeva, Lamine, Dembo, Bilalli, Ilievski, Jurina.
Trajner: Qatip Osmani