Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren me të lartë në këtë edicion dhe triumfi 6:1 ndaj Renovës na ofron me kreun falë gabimeve të rivalëve.
• Shkëndija përsërit fitoren më bindëse (6:1) në duelet me Renovën
• Në triumfin bindës 6:1 realizojnë gjashtë golashënues të ndryshëm
• Remi Selmani shënoi për Renovën, por nuk festoi në shenjë respekti
• Nga minuta e 76 mbetëm pa Muratin që doli me të kuq (2 të verdhë)
Kuqezinjtë rikthehen me stil pas pauzës ndërkombëtare, pasi bindin me lojë dhe efikasitet përballë Renovës duke fituar me shifra bindëse 6:1 në një duel ku gjashtë futbollistë të ndryshëm gjejnë portën kundërshtare, ndërsa me dy asiste dhe lojë shumë pozitive u dallua edhe Junior.
Shkëndija nisi në mënyrën më të mirë takimin, duke avansuar që në aksionin e parë në minutën e pestë. Ishte aksion model i kuqezinjëve me Alimin që nxjer para ekipin dhe vazhdon aksionin me A. Ibraimin, ndërsa Murati me asist të saktë gjen Imerin që realizon për 1:0.
Në minutën e 11-të provoi Besart Ibraimi nga gjuajtja e lirë, mirëpo intervenon portier Velii. Pasoi lojë e qetë kur Shkëndija kontrollonte ngjarjet në fushë, ndërsa Renova provonte të dilte përpara për të rrezikuar. Shkëndija shkoi pranë golit të dytë në minutën e 29-të kur goditja me kokë e Nezirit shkoi skaj shtyllës. Aksioni i parë i rivalit që nuhati në rrezik erdhi në minutën e 31 kur Kadriu kalon bukur në të djathtë, mirëpo Selmani nuk koordinohet mirë dhe humb këtë mundësi. Katër minuta para pauzës Junior nuk gjen kuadrantin nga një pozitë shumë ideale, ndërsa në anën tjetër Zahov grushton të majtën e Gafurit.
Pjesa e dytë do të ishte shumë më efikase me pesë realizime tjera të kuqezinjëve dhe një të Renovës. Ashtu si në të parën edhe në vazhdim mjaftuan vetëm pesë minuta që Shkëndija të gjente golin, kur Agim Ibraimi dhe Junior zhvillojnë aksion të bukur, ndërsa asisti i brazilianit shfrytëzohet nga Alimi që realizon për 2:0. Shkëndija nuk u ndal dhe dominimi solli golin e tretë në minutën e 54-t kur Besart Ibraimi u bllokua në shans të mirë, por aksionin e ndoqi mirë Imeri që asistoi drejt numrit 7-të, ndërsa ‘Ibra’ s’gabon dy herë rresht dhe me një të majtë të fortë çon shifrat në 3:0. Në minutën e 64-t erdhi goli i katërt me autor Agim Ibraimin nga pika e bardhë, pasi paraprakisht me faul në zonë u ndal Totre.
Fati i ndeshjes tashmë ishte mbyllur dhe ekipet vazhduan me lojën e hapur, duke humbur nga një mundësi të mirë në të dyja anët. Tetë minuta para fundit braziliani Junior shfaqet me tjetër asist pasi gjen me diagonale Samir Fazli-n, ndërsa sulmuesi me kokë realizon për 5:0. Nga minuta e 76-të kuqezinjtë mbetën me një lojtarë më pak në terren, pasi pas dy kartonave të verdhë Murati u përjashtua me të kuq. Renova u kanos me Selmanin nga gjuajtja e lirë, por topi u devijua mbi traverzë, ndërsa në vazhdim pas harkimit nga këndi Remzifaik Selmani arrin të shënojë për 5:1, pa festuar golin në shenjë respekti për skuadrën ku luajti sezonin e shkuar. Deri në fund kishte kohë edhe për një gol kur në minutën e parë të kohës shtesë Ennur Totre shënon bukur nga gjuajtja e lirë për shifra përfundimtare 6:1.
SHKËNDIJA-RENOVA 6:1 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 500
Arbitër: Krumisllav Gjorgiev
Golashënues: Imeri 5′, Alimi 50, B Ibraimi 54′, A. Ibraimi pen. 64′, Fazli 82′ dhe Totre 90’+1 (Shkëndija), ndërsa Selmani 84′ (Renova)
Karton i kuq: Murati 76′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Çeshmexhiev, Neziri, Mici, Alimi (Husmani 71′), A. Ibraimi (Fazli 66′), Totre, Imeri, B. Ibraimi (c) (Bejtullai 78′), Junior.
Trajner: Ernest Gjoka
RENOVA: Velii, Zuka, B. Sadiki (Beqiri 72′), Selmani, Kadriu, Gafuri (c), Saliji (A. Veliu 64′), Mishkovski, Velija, N. Sadiki, Miovski (Ademi 56′).
Trajner: Bujar Islami