Shkëndija mundet 0:1 nga Rabotniçki në takimin e xhiros së 23-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.
- Xhiroja e 23-të sjell disfatë 0:1 në Tetovë nga Rabotniçki
- Autogoli i portierit Zahov rezultoi vendimtar në epilogun final
- Në fund të ndeshjes me të kuq dolën Krivak e Merxhani
Kuqezinjtë në Tetovë u befasuan nga Rabotniçki në një ndeshje të luftuar nga të dyja palët, por që më me fat rezultoi për kundërshtarin që koleksionoi tre pikët me një gol (autogol) të vetëm. Minuta e 54-t rezultoi vendimtare kur harkimi nga këndi nuk kontrollohet mirë nga portieri Zahov dhe topi përfundon brenda vijës fatale për epërsi të Rabotniçkit. Shkëndija në këtë ndeshje hyri me mungesa të rëndësishme si Alimi e Mici (pezullim me nga 5 kartona të verdhë), ndërsa në formacionin startues kishte edhe ndryshime tjera në raport me sfidën paraprake.
Ndeshja nisi me një tempo agresive nga të dyja palët, me Rabotniçkin që paralajmëroi se nuk ka ardhur për tu dorëzuar dhe kansoja e Hereras në minutën e 10-të ishte tregues i ambicieve të mysafirëve. Në minutën e 18-të përgjigjemi me një të majtë të fortë të Merxhanit që kontrollohet nga portieri kundërshtar, Shishkovski, ndërsa pak më vonë B. Ibraimi direkt nga rivënia këndore çoi topin në traversë. Vijoi loja e hapur nga të dyja palët edhe në vazhdim, ndërsa kuqezinjtë rastin më të mirë për të shënuar e lëshuan në minutën e 37-të kur Ahmedi u gjet në pozitë ideale para portës, por Shishkovski devijoi në këndore tentimin e tij. Më vonë nuk gjeti kuadrantin edhe një e majtë e B. Ibraimit për të shkuar në pauzë pa gola pas një mundësie të mirë të humbur nga mysafirët.
Në vazhdim u kanosëm me rrjetën e jashtme të B. Ibraimit, duke dhënë sinjale se do të jemi më insistues për të avansuar, por fatkeqësisht në anën tjetër ndodhi një moment dekocentrimi kur pas këndores Zahov nuk kontrollon topin si duhet dhe Rabotniçki pa veten në disavantazh. Provuam të përgjigjemi me Zejnullain goditja e të cilit nuk shqetësoi Shishkovskin. Edhe në vazhdim u hodhëm në sulm për të barazuar, me tre zëvendësime trajneri Gjoka provoi të ndryshoi ecurinë e ndeshjes, por të gjitha sulmet tona mbylleshin pa sukses me mysafirët që mbulonin mirë hapsirat para portës së tyre. Shmangia e disfatës u vështirësua kur fillimisht Krivak (86’) e më pas edhe Merxhani (90’+) dolën nga loja me kartona të kuq, ndërsa e tëra u shfrytëzua nga Rabotniçki që menaxhoi të fitojë 1:0.
SHKËNDIJA-RABOTNIÇKI 0:1 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: /
Golashënues: Zahov ag. 54′ (Rabotniçki)
SHKËNDIJA: Zahov, B. Ibraimi (c) (Nafiu 76’), Totre, Ahmedi (A. Ibraimi 76’), Radeski, Sadriu, Zejnullai, Krivak, Merxhani, Neziri, Imeri (Fazli 62′).
Trajner: Ernest Gjoka
RABOTNIÇKI: Shishkovski, Velkovski, Gjorgjeviq, Petkovski (Junior 81’), Jevtoski, Toshevski, Siljanovski (c), Herera, Krstovski (Tosheski 67′), Pecov, Allomeroviq (Tosheski 74’).
Trajner: Ratko Dostaniq